Berisha akuza ministrave të qeverisë “Rama 3”: T’i quash megahajdutë, është pak

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet pasditen e sotme në Librazhd ku po zhvillon një takim me demokratët. Berisha është shoqëruar nga ish-presidenti Bujar Nishani dhe që në nisje të fjalës ka folur në lidhje me etikën në Kuvend.

Berisha tha se ministrat e qeverisë, t’i quash hajdut është pak, pasi tenderojnë rrugë me çmim 8 herë më të lartë se në Europë,

Më tej Berisha tha se shqiptarët janë larguar nga Shqipëria për shkak të opozitës së dobët, dhe i kërkon Bashës të largohet duke e quajtur “mjeran”.

“Dëshiroj të përulem para jush, ndaj dhjetëra mijëra demokratëve shqiptarë që shndërruan këtë vjeshtë në vjeshtën e mrekullisë së dytë shqiptare. Vjeshtë e mrekullisë së dytë më të madhe shqiptare që nga viti 1990. Mrekullia e vendosjes së pluralizmit. Rikthimi i shpresës, besimit te liria, vendi dhe kombi ynë. Në këtë vjeshtë erdhëm si një shoqëri e cila me besimin që shprehu te opozita mbeti një shoqëri e tradhtuar, e prerë në besë, e braktisur. Vërtetë Edi Rama rrëmbeu dhe plaçkiti vota si kurrë më parë, përdori të gjitha potencialet e shtetit si në diktaturë, mobilizoi falangat e krimit për të blerë vota, por peng-kryetari, i cili u zotua se do mbroje votën tuaj, se nuk do njohë zgjedhjet e 25 prillit, harroi çdo zotim para jush. Kurrë në histori nuk ka ndodhur që një opozitë e vërtetë të abstenojë ndaj borxhit më të madh në historinë e këtij vendi, siç bëri peng-Basha. A i shihni ju ata ministra që diskutojnë për etikë në parlament? Por çfarë etike të kem unë për atë ministre apo ministër që tenderon rrugën me çmim 8 herë më të lartë se BE. T’i thuash hajdute është pak, t’i thuash megahajdut prapë është pak . Shqiptarët largohen masivisht nga Shqipëria sepse është populli më i pashpresë per shkak të mungesës së opozitës. Kryetari i saj është një peng i turpshëm. Po ik mor mjeran jep dorëheqjen. Ne jemi parti e idealeve. S’ke punë me ne ti, ik sa më shpejt”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 19.11.2021 17:38