Berisha: 9 veprat penalë të Ballukut dhe 36 vitet burg janë vetëm një e dhjeta e krimeve të saj dhe të Edi Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se Belinda Balluku, me veprat që ka kryer, rrezikon që të dënohet deri në 36 vite burg teksa komentoi mbledhjen e sotme të Këshllit të Mandateve dhe Imunitetit.

Në Foltoren e radhës para Kryeministrisë, Berisha sulmoi Ulsi Manjën, pasi ky i fundit theksoi se masa e pezullimit nga detyra të Ballukut ishte e mjaftueshme. Por, siç shtoi kryedemokrati, 9 veprat e kryera nga Balluku nuk janë më shumë se 1/10 e krimeve të kryera nga ajo, Edi Rama dhe “dhe kriminelëve të tjerë në qeveri”.

“Miqtë e mi, sot në Komisionin e Mandateve, Faqezi Manja i thotë, ja thotë, se kjo Lubia nuk ka kryer një krim kaq të rëndë sa të arrestohet. Përgjigjja ishte ligjore. Kjo Lubia me 9 veprat e saj penale shkon në minimum 36 vite burg. Por i garantoj këtu se ato 9 vepra janë më shumë se një e dhjeta e krimeve të Lubisë, të Edi Ramës dhe të kriminelëve të tjerë në qeveri. Një mik më thoshte sot, Doktor, uroj që qytetarët të kuptojnë që ajo që shohin me rrugët që shemben njëra pas tjetrës, që shemben çdo ditë, që shemben të sapondërtuara, që shemben siç u shemb rruga Dragostunjë-Përrenjas, vetëm e vetëm nga gërryerja e lumit dhe prishja e bazamentit, që ka tre ditë që ka izoluar të gjithë juglindjen e vendit. Kjo shembje është e njëjtë në shëndetësi, është shumë herë më e dhimbshme në shëndetësi, sepse në shëndetësi janë jetë njerëzish që ikin. Janë jetë burrash, grash, të rinjsh që shuhen për shkak të mungesës së mjekimeve.

Për shkak të ilaçeve pa efekt. Për shkak të vjedhjes së parave të ilaçeve për të sëmurët. Për shkak se duhet të paguajnë çmimet e kokës për të marrë shërbimin shëndetësor. Nuk them se ishte në një nivel të përsosur shëndetësia më parë, por disa gjëra janë të pamohueshme. Disa gjëra janë të pakundërshtueshme. Shqiptarët paguanin edhe atëherë nga xhepi, por paguanin 30 përqind të asaj që shpenzonin për shëndetin e tyre, 70 përqind e kishin nga shteti. Sot paguajnë 60 përqind nga xhepi. Sot paguajnë më shumë se të gjithë qytetarët e tjerë në Europë. Por përsëri ndryshimi është i madh, ilaçet i merrnin të njëjta me ato të vendeve të BE. Në tokën shqiptare nuk tregtohej kurrë ilaç që nuk shitej në dy vende anëtare të BE. Sot, ilaçet janë Nushi-Doshi, Doshi-Nushi. Sot ilaçet janë të skaduara, pa efekt, janë mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim. Sot ilaçet shpëtimtare për jetën e të sëmurëve me sëmundje të rënda, mungojnë. Krim kundër njerëzimit është ky miq.
Sepse njëlloj si paratë e rrugëve, vidhen dhe vetëm vidhen.“, tha ai.


Shtuar 23.02.2026 19:15