Real Madrid vuan në shtëpi, por në fund fiton me shifrat 2-1 ndaj Getafes. Madrilenët ishin në ndjekje në pjesën më të madhe të ndeshjes pasi miqtë kaluan në avantazh në minutën e 11-të me anë të Borja Mayoral, një ish-i madrilenëve. Sulmuesi përfitoi më së miri nga një ngatërresë në mbrojtjen e Realit dhe nuk fali duke ndëshkuar portierin Kepa Arrizabalaga.
Në vijim, Real Madrid tentoi të gjente golin e barazimit ndërsa Jude Bellingham pretendoi për një penallti. Dhe në fakt arbitri e akordoi, por ishte VAR që anuloi vendimin e kryesorit.
Sakaq, në fraksionin e dytë, Reali gjeti golin në minutën e 47-të me anë të Joselu. Këtë herë VAR ishte në anën e madrilenëve që akordoi golin e sulmuesit.
Reali sigurisht nuk mund të kënaqej me barazimin dhe në minutat shtesë ai që shpëtoi Los Blancos ishte Jude Bellingham. Anglezi konfirmon edhe njëherë se është shndërruar në njeriun kryesor të spanjollëve duke regjistruar golin e pestë në katër javët e para.
Kështu, me shifrat 2-1 u mbyll ndeshja në Bernabeu me Reali që merr fitoren e katërt në katër javë kampionat dhe kryeson LaLiga-n.