Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj qëndrimit të kryeministrit Edi Rama se sistemi duhet të ketë aftësinë të “korrigjojë veten”, duke e konsideruar këtë deklaratë si tallje ndaj qytetarëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se Rama po përpiqet ta paraqesë korrupsionin dhe abuzimin si fenomene të zakonshme të qeverisjes. Sipas tij, përgjegjësia e parë për luftën kundër korrupsionit i takon vetë ekzekutivit.
Të lidhura
None found
Deputeti demokrat thekson se një qeveri me integritet duhet të sigurojë transparencë, auditim, zbatim të ligjit dhe forcim të procedurave në pikat e tyre të dobëta. Ai shton se drejtësia duhet të ndërhyjë në rastet kur qeveria nuk përmbush detyrimet e saj.
Megjithatë, Këlliçi argumenton se qeveria e Edi Ramës nuk karakterizohet thjesht nga dështimet, por nga përfshirja e vetëdijshme në favorizime, trafik influence, abuzim, shpërdorim dhe cenim të barazisë e konkurrencës.
Sipas tij, bëhet fjalë për një korrupsion të paramenduar, i cili shfaqet në çdo akt, vendim dhe firmë të hedhur. Këlliçi shprehet se, përballë kësaj situate dhe kësaj mënyre agresive të qeverisjes, as drejtësia nuk mund ta zgjidhë problemin, edhe sikur të ishte e pavarur.
Ai e cilëson sistemin si të kalbur që në themel dhe të ndërtuar me qëllim, ndaj beson se ai nuk mund të përmirësohet nga brenda.
Në përfundim, nënkryetari i PD-së kërkon largimin e Edi Ramës, duke e paraqitur këtë si të vetmen rrugë për ndryshimin e sistemit që, sipas tij, kryeministri e ka krijuar dhe fuqizuar.
