Lideri i opozitës Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të GJKKO për të dënuar kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri me dy vite burg. Beleri u arrestua në maj të vitit 2023, 3 ditë para zgjedhjeve vendore dhe akuzohet për blerje votash.
Berisha thekson se Beleri është dënuar pa prova dhe akuzon kreun e qeverisë, Edi Rama se ka stisur dosjen e tij.
Berisha: Çdo orë, ditë që kalon dëshmon se sa jetike, vendimtare është për fatin, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, beteja pa kthim për përmbysjen e regjimit, e narko regjimit të bazuar në aleancën e pushtetit me organizatat kriminale, me korrupsionin dhe vjedhjen e shqiptarëve, me drogën.
Çdo ditë regjimi tregon fytyrën e tij të shëmtuar. Nuk ndalet në krimet e tij nga asgjë.
Sot ai dëshmoi para shqiptarëve me dënimin e kryetarit të zgjedhur me votën e qytetarëve të Himarës, Fredi Belerit, me dënimin pa asnjë shkak, pa asnjë faj, me dënimin mbi bazën e një dosje të stisur si në kohërat më të zeza të sigurimit të shtetit.
Me dënimin e tij, Edi Rama, miqtë e mi, ju faktoi shqiptarëve se pavarësisht se si ju do të votoni, kurrë nuk do të keni atë që doni me votën tuaj.
Ky përbën një akt flagrant të këtij armiku të egër të votës së lirë të shqiptarëve.
Të dënosh me një proces farsë, një qeveritar të zgjedhur vendor, do të thotë se nuk pranon vullnetin e qytetarëve se dhe drejtësinë e ke shndërruar në një vegël të verbër të pushetit të krimit./albeu.com