Beleri në burg, Rama për ERT: Nuk ndërhyjmë në sistemin e drejtësisë, sot ish-zëvendësi im është në kërkim nga SPAK

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama në një intervistë për median greke ERT, ka folur mbi arrestimin e Fredi Bejlerit.

I pyetur nëse ai po mbahet qëllimisht në burg, Rama u përgjigj se qeveria nuk ndërhyn në drejtësinë shqiptare, duke theksuar se sot ish-zëvendësi i tij ëhstë në kërkim nga SPAK.

Pjesë nga intervista:

-Duke folur përsëri për çështjen Beleri. Që në momentin e parë që u arrestua, ju dhe qeveria juaj i referoheni pavarësisë së gjyqësorit dhe kjo interpretohet si një dëshirë për kohëzgjatjen e paraburgimit të zotit Beleri në mënyrë që ai të humbasë datën për t’u betuar, pra për të humbur dhe postin. Kjo duket sikur juve jeni i vendosur të ekzistojë ky gjemb në marrëdhëniet dypalëshe, akoma kjo dhe me rrezikun e humbjes së mbështetjes së Athinës drejt rrugës europiane.

Rama: Së pari, që në momentin kur SPAK, Prokuroria jonë speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, pra shumica parlamentare e Shqipërisë bën të njëjtën gjë, ekzakt të njëjtën gjë, siç kemi bërë dhe në këtë rast. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane për të bërë drejtësi dhe nuk interferojmë në asnjë formë dhe përmes asnjë rruge, qoftë publikisht, qoftë jo publikisht në punën e saj. Sepse ky është një moment historik për Shqipërinë. Dhe sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret të njerëzve shumë pranë pushtetit.

Sot ish zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye:Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare.

-Në këto kushte që jemi, mesa duket zoti Beleri do të humbasë, nuk mund të betohet dhe do ta humbasë datën e betimit. Në intervistën tek Kathimerini latë të kuptohet se mund të mos bëhen zgjedhje të reja në Himarë, pra si do do të shkojë? Do të jetë përsëri Goro? Është pak konfuze e gjitha kjo, zoti Kryeministër. Si do të qeveriset nesër Himara?

Rama: Së pari njëherë, nëse unë nuk gaboj dhe nuk besoj se gaboj, zoti Goro i përket të njëjtit grup apo jo?

-Minoritetit.

Rama: Po pra, pra kjo është një arsye më shumë për të ngritur supet sepse zoti Goro i cili ka përfaqësuar si kryetar bashkie, partinë që unë drejtoj, ashtu sikundër edhe dy kryebashkiakë të tjerë, të cilët sot janë në detyre dhe sot gëzojnë të drejtën ta ushtrojnë detyrën si përfaqësues të minoritetit grek; njëri me mbështetjen e PS edhe pse jo i PS-së, tjetri i PS, tregojnë që këtu s’ka një përplasje mes shqiptarësh dhe grekësh. Këtu ka një bashkëjetesë krejt të arsyeshme dhe krejt normale. Sa mijëra e mijëra tituj pronësie i ka dhënë familjeve minoritare për shtëpitë e ndërtuara pa leje, siç kanë bërë edhe shumë të tjerë familje shqiptare, apo titujt e pronësisë për objektet e kultit. Sot kishat në minoritet kanë tituj pronësie sepse qysh nga koha e komunizmit e deri kur kjo qeveri mori detyrën, jetuan të zhveshura nga kjo titujt e pronësisë.

Kërcënimet për pengim të rrugës së mëtejshme te integrimit të plotë të Shqipërisë dhe anëtarësimit të saj të plotë në BE, në ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të hyjë në këtë proces, që t’i japë leje një të paraburgosuri që të shkojë të bëje betimin apo që të betohet në zyrë me noter siç thonë, është në mospërputhje të plotë, qoftë me të drejtën sovrane të Shqipërisë për të ushtruar dhe për të zbatuar legjislacionin e vet evropian në perimetrin e Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe me bashkëjetesën evropiane mes vendesh që janë vende demokratike, që i përkasin të njëjtës familje vlerash dhe ku nuk mund të bëjë vaki që njëri vend t’i tregojë tjetrit se si duhet të funksionojë në një rast konkret dhe çfarë duhet të bëjë në një rast konkret njëri apo tjetri për të zbatuar ligjin në vendin e vet.

Në ndërkohë që siç e kam thënë, ne jemi duke studiuar rastin, pasi kur përfundon afati i 90 ditëve, normalisht sipas çfarë thuhet në ligj, qeveria duhet ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur që nuk është paraqitur për të bërë betimin dhe duhet të caktojë një kujdestar deri në zgjedhje të reja. Mirëpo ky është një rast shumë specifik dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar departamentit ligjor këtu në Kryeministri që të japë opinionin se çfarë duhet të bëjmë ne dhe do të zbatojmë përsëri atë që është më e drejta. Unë do të isha i lehtësuar nëse ne do të mundeshim që t’i linim procesit gjyqësor mundësinë të përfundonte dhe në fund të procesit të dinim nga drejtësia, jo nga Greqia nëse ky njeri është i fajshëm apo është i pafajshëm.


Shtuar 30.08.2023 18:48