Bejko takim me biznesin në Tiranë: Do të krijojmë 3 zona të lira ekonomike

Kandidati i Partisë Demokratike në Tiranë, Roland Bejko zhvilloi këtë të enjte një takim me biznesin në kryeqytet.

Në bashkëbisedimin me përfaqësues të biznesit të Tiranës, Bejko shpalosi idenë e tij për mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe për zhvillimin e disa prej zonave që kanë mbetur të pa zhvilluara.

“Përtej heqjes së taksës së infrastrukturës arsimore dhe përgjysmimit të taksës për pastrimin për bizneset, Bashkia do të krijojë lehtësira fiskale dhe do të promovojë financiarisht të gjitha masat që do të merren nga bizneset që synojnë prodhimin dhe kursimin e energjisë. Tri zona të lira ekonomike në zonën e Krrabës, Arbanës dhe Ndroqit për fuqizimin e ekonomisë së Tiranës. Inicim Ligj i ri i posaçëm për Tiranën”, tha Bejko.

Bejko tha se Bashkia do të jetë në dispozicion për të trajnuar falas të punësuarit që merren me pagesat e taksave vendore të çdo biznesi në mënyrë të tillë që gjobat të mos jenë normalitet për bizneset

“Çfarë i duhet ekonomisë. Më pak gjoba, më pak presion nga ana e punonjësve të bashkisë dhe më shumë komunikim për të krijuar një lloj relaksi, për të kuptuar që bashkia dhe biznesi nuk janë armiq, nuk janë macja dhe miu, por janë partner. Bashkia që ne do të drejtojmë, nëse qytetarët na japin besimin, Bashkia do të jetë në dispozicion për të trajnuar falas të punësuarit që merren me pagesat e taksave vendore të çdo biznesi në mënyrë të tillë që gjobat të mos jenë normalitet për bizneset, por raste përjashtimore. Qëllimi është jo ta ndjekim biznesin dhe ta gjobisim, por ta ndihmojmë që të mos gabojë”, nënvizoi Bejko./Albeu.com/


Shtuar 27.04.2023 15:07