Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka përkujtuar revoltën e Spaçit.
Basha ka përkujtuar ngritjen e flamurit shqiptar rreth 49 vite më parë, i cili ishte pa yllin që simbolizonte komunizmin.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ish-kryedemokrati shkruan se qëndresa e të burgosurve politikë është një frymëzim edhe sot për një vend të kthyer në një burg edhe pse në qiell të hapur.
Postimi i Plotë nga Lulzim Basha:
49 vite më parë, një grup të burgosurish politikë ngritën në Spaç flamurin kuqezi, pa yllin komunist, dhe shpallën aty një zonë të lirë nga diktatura. Ato 3 ditë lirie ishin një shkëndijë në terrin e diktaturës komuniste, që i treguan Shqipërisë dhe botës se rezistenca mbijetonte, pavarësisht dhunës dhe represionit të diktaturës.
Qëndresa brenda burgut më famëkeq të komunizmit, në një vend të kthyer në një burg në qiell të hapur për të gjithë shqiptarët, e ka kthyer Revoltën e Spaçit në një nga simbolet e rezistencës antikomuniste, që frymëzon edhe sot për guximin dhe patriotizmin e atyre burrave që në orët më të errëta, ngritën krye për liri.
Lavdi martirëve të Revoltës së Spaçit!/albeu.com/