Presidenti Bajram Begaj ka pritur sot në Tiranë homologun e tij të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Pas pritje me ceremoni shtetërore që iu bë në Pallatin e Brigadave, ata kanë dalë në një konferencë të përbashkët për media.
Fjalën i pari e mbajti Begaj, i cili deklaroi se në fokus të bisedës kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe dhe qëndrimi i përbashkët për luftën në Ukrainë. Ai theksoi se vetëm zgjidhja paqësore është rruga e vetme për një paqe afatgjatë.
“Turizmi përbën një sektor tjetër të rëndësishëm të ekonomive të dy vendeve tona. Azerbajxhani ka përvojë nga e cila ne mund të përfitojmë. Ndamë mendimin se kultura mbetet mënyra për të afruar dy popuj. Bashkëpunimi në fushën e kulturës ka qenë i ngushtë.
I shpreha falenderimet për kujdesin që TAP ka treguar për ruajtjen ndaj trashëgimisë tonë kulturore. Biseduam për sigurinë dhe pasojat në luftën në Ukrainë. Politika e Jashtme e Shqipërisë mbështet paqen me ndërmjetësimin e aktorëve të pranuar ndërkombëtarë. Tirana ka qenë mbështetëse ndaj integritetit territorial të Azerbajxhanit. Ndamë qëndrimin e përbashkët për luftën në Ukrainë.
Vetëm zgjidhja paqësore është rruga e vetme për paqe afatgjatë. Biseduam edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve. Vlerësoj mbështetjen e Azerbajaxhanit për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Krijimi I grupit të miqësisë mes dy vendeve duhet të ndiqet në hapa të tjerë. Miqësia dhe bashkëpunimi i deritanishëm janë premisa për të ardhmen dhe marrëdhëniet mes dy popujve tanë”, tha Begaj.
Ndërkohë, Aliyev përmendi edhe faktin se Shqipëria është një rrugë kalimi për gazin azer në drejtim të Europës.
“Deri në 2027 do të dyfishojmë furnizimin me gaz për Europën dhe ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë”, tha presidenti azer duke shtuar se Azerbajxhani ka sasi të mëdha gazi dhe mund të dyfishohet sasia e gazit që transportohet nga vendi i tij në drejtim të Europës.