Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbrëmjen e sotme ka pritur në Presidencë përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri
Begaj gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ka ftuar ambasadorët që ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre.
Presidenti theksoi se bashkëpunimi me partnerët strategjikë, nuk janë thjesht për llogari gjeopolitike por zgjedhje identiteti.
“Përkatësia Euroatlantike dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë, nuk janë thjesht për llogari gjeopolitike, por zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme”, theksoi Presidenti Begaj.
Po ashtu presidenti tha se viti 2026 përfaqëson për Shqipërinë një moment të rëndësishëm konsolidimi institucional dhe afrimi me standardet evropiane.
“Synimi ynë është të thellojmë këtë hapje, të forcojmë besimin dhe të krijojmë kushte që lidhja mes Shqipërisë, diasporës dhe partnerëve tanë të përkthehet në zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të mëtejshëm evropian”, tha Begaj.
