Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar mungesën e takimit mes Presidentit Bajram Begaj dhe pasardhësit të tij në parti në parti, Lumir Abdixhiku.
Mustafa, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se marrëdhëniet me Shqipërinë kanë domethënie të veçantë pasi janë relacione brenda një kombi.
Ai shton se Presidenti i Shqipërisë i ka pritur zyrtarët kosovarë edhe në vitet e ’90, kur askush nuk na pranonte si shtet.
“Relacionet me Shqipërinë kanë peshë dhe domethënie të veçantë. Nuk janë vetëm shtetërore, politike, ekonomike … por edhe relacione brenda një kombi. Në këtë rrafsh kemi dëshirë që njëri-tjetrin ta shohim sa më mirë, sepse kështu fitojmë besim se jemi më të fortë. Prandaj edhe bëhen të pa rëndësishme aspektet formale, unë te ti apo ti te unë, kur e konsiderojmë veten pjesëtar të një familjeje”, ka thënë Mustafa për Gazetën Express.
Mustafa po ashtu tha se si Kuvendi i Kosovës, ashtu edhe Selia e LDK-së, janë shtëpi e përbashkët dhe ka nevojë për mirëkuptim.
“Kemi shumë përvoja me Shqipërinë. Edhe në vitet e nëntëdhjeta, kur s’na pranonte askush si shtet, presidenti i Shqipërisë (SB) zbriste te hyrja e Presidencës dhe na merrte për krahu e brenda. Edhe në vitet pasuese. Shtëpi e jonë është Selia e LDK-së por edhe Kuvendi i Kosovës. Është edhe selia e Presidentit të Shqipërisë. Gjithmonë ka nevojë për mirëkuptim”, shtoi ai.
Gjatë ditës, presidenti shqiptar Bajram Begaj ka takuar në ambientet e Kuvendit liderët e PDK-së dhe AAK-së por jo kreun e LDK-së, Abdixhiku.
Nga LDK-ja jozyrtarisht i thanë Gazetës Express se Begaj kishte kërkuar të takohen në ambiente të tjera e jo në zyre të partisë, gjë të cilën LDK nuk ka pranuar.