Befason ish-presidenti rus: Evropa do të përballet me një valë krimi, më të dhunshme se ajo shqiptare

Duket se lufta në Ukrainë do të sjellë pasoja afatgjata në të gjithë kontinentin europian.

“Mungesa e furnizimeve në dyqane dhe kriza e re e migracionit do të provokojë një valë krimi më të keqe e më të dhunshme se ajo shqiptare”.

Kështu ka deklaruar ish-presidenti rus dhe njëkohësisht nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Dmitry Medvedev, në kanalin e tij “Telegram” teksa po i përgjigjej në mënyrë direkte deklaratave të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, e cila tha se falimentimi i Rusisë ishte çështje “kohe”.

Por, numri dy i Qeverisë ruse ka kërkuar që “Bashkimi Evropian ta presë krahëhapur reagimin e qytetarëve për hiperinflacionin”, i cili sipas tij nuk mund t’i atribuohej më rusëve me ligj.

Kështu, Medvedev ka paralajmëruar se unioni mund të përballet me një krizë refugjatësh, të cilët do ta vendosin BE-në përballë “një vale krimi shumë më të rrezikshëm se ai shqiptar”.

Ndonëse, historikisht miti i mafies shpesh lidhet me grupe më të njohura të krimit të organizuar, si mafia italiane (cosa nostra ose ndrangheta), ruse (bratva) dhe japoneze (yakuza), për ish-presidentin rus nuk është kështu.

Medvedev ka kërkuar që krerët e unionit të ndryshojnë retorikën e tyre ndaj Rusisë, një shtet tashmë i pezulluar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Duke i cilësuar ata (liderët evropianë) si “mazokistët e Brukselit” ai shkroi se nëse mospagimi i borxhit rus që ata parashikojnë “përfundon në falimentim -moral dhe material  të vetë Bashkimit Evropian”.

Por kjo nuk mjafton për Medvedev-in që të thotë se besimi i njerëzve të BE-ja po bie.

Këtu ish-presidenti ka sjellë si shembull vitin 2008, i cili sipas tij “ishte më mirë se ky që po jetohet”.

Po ashtu, sipas një vlerësimi nga Instituti i Financave Ndërkombëtare (IIF), një grup tregtar i shërbimeve financiare, ekonomia ruse do të tkurret me të paktën 15% këtë vit, përcjell Albanian Post.

IIF kishte parashikuar më parë se ekonomia e Moskës do të rritej me 3% në vitin 2022, por tani thotë se sanksionet e vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës “kanë çuar në një shtrëngim drastik dhe të paprecedentë të kushteve financiare, që sinjalizon një recesion të thellë”.

Ekspertët paralajmëruan se rënia mund të jetë edhe më e mprehtë nëse do të ketë bojkotime shtesë perëndimore të furnizimeve ruse me energji.

Që nga nisja e ofensivës ruse në Ukrainë më 24 shkurt, BE-ja ka miratuar pesë paketa sanksionesh financiare kundër Moskës dhe tani po shqyrton një të gjashtën.

Kufizimet mbulojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, nga bankat te eksportet e qymyrit.

Ndërkohë, qindra kompani të huaja kanë pezulluar ose ndërprerë plotësisht veprimtarinë e tyre në Rusi. Moska i konsideron këto masa si “të paligjshme” dhe u është përgjigjur atyre me kundërsanksione.