Bebet e para të vitit 2024 te “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”

Bebet e para të cilët kanë ardhur në jetë në minutat e para të vitit 2024, në dy maternitetet në Tiranë dhe gëzojnë shëndet të plotë, janë Sihana dhe Amari.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka vizituar sot të porsalindurit në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”.

Në Maternitetin Koço Gliozheni”, ministrja Koçiu teksa uroi për një vit sa më të mbarë dhe të begatë për të gjithë shqiptarët, ka dhënë çekun e bebes për Sihanën, vajzën që lindi shëndoshë e mirë 1 minutë pas mesnate.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Koçiu, ka falënderuar dhe shprehur mirënjohje për të gjithë stafin mjekësor që ishin në shërbim të nënave dhe fëmijëve, në natën e ndërrimit të viteve dhe në ditët e para të Vitit të Ri.

Koçiu ka theksuar se qeveria dhe MSHMS, do të vijojnë me programet për mbështetjen e fëmijëve, sikurse është edhe bonusi i bebes për të gjithë fëmijët të cilit lindin në Shqipëri.

Gjithashtu, ministrja Koçiu ka dhënë bonusin e bebes edhe për Amarin i cili erdhi në jetë pak minuta pas mesnate në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.

Që prej vitit 2019 kur nisi zbatimi i programit i bonusit të bebes, kanë përfituar mbi 190 mijë fëmijë.

“Do të vazhdojmë të mbështesim familjet dhe të porsalindurit në vendin tonë”, ka nënvizuar ministrja Koçiu.