BE vendos sanksione ndaj Iranit për dronet e dhëna Rusisë në luftën në Ukrainë

Vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar sanksione ndaj Iranit për shkak të dronëve të prodhuar nga Irani të furnizuar Rusisë dhe të përdorur në sulmet ndaj Ukrainës, ka thënë presidenca çeke e Këshillit të BE-së.

Sipas Aljazeera, masat ndëshkuese të BE-së pritet të hyjnë në fuqi më vonë të enjten ndërkohë shefi i Këshillit Evropian Charles Michel e përshëndeti masën ndërsa përgatitet të presë 27 liderët e BE-së në një samit në Bruksel këtë javë.

“Pas 3 ditësh bisedime, ambasadorët e BE-së ranë dakord për masat kundër subjekteve që furnizojnë dronët iranianë që goditën Ukrainën. Shtetet e BE-së vendosën të ngrijnë asetet e 3 individëve dhe 1 entiteti përgjegjës për dërgesat me drone. BE-ja është gjithashtu e përgatitur të zgjerojë sanksionet ndaj 4 entiteteve të tjera iraniane që tashmë janë paraqitur në listën e mëparshme të sanksioneve”, thuhet në deklaratë.

Kryeministri çek Petr Fiala tha se sanksionet kishin për qëllim personat dhe subjektet që prodhojnë dhe furnizojnë dronët.

“Kjo është përgjigja jonë e qartë ndaj regjimit iranian që i siguron Rusisë drone, të cilët i përdor për të vrarë qytetarët e pafajshëm ukrainas,” tha ai.

Britania e ka dënuar gjithashtu vendimin e Iranit për të furnizuar dronë dhe trajnime për Rusinë, dhe sekretari i jashtëm britanik James Cleverly pritej të bënte një njoftim më vonë të enjten për marrjen e masave duke përdorur regjimin e sanksioneve të Britanisë në lidhje me dronët iranianë, tha zyra e jashtme.

“Furnizimi me drone nga Irani është në kundërshtim me rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe është dëshmi e mëtejshme e rolit që luan Irani në minimin e sigurisë globale”, tha një zëdhënës i zyrës së jashtme.

Deklarata vjen një ditë pasi Irani vendosi sanksione ndaj disa individëve dhe institucioneve britanike në atë që dukej të ishte një kundërmasë ndaj qëndrimit të Londrës mbi protestat që kanë përfshirë Iranin gjatë muajit të kaluar pas vdekjes së një gruaje të re në paraburgim nga policia.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për përdorimin e dronëve “kamikaze” të prodhuar nga Irani në sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike në javët e fundit. Ajo thotë se ushtria e saj ka rrëzuar më shumë se 220 drone iraniane që nga mesi i shtatorit. Kryebashkiaku i kryeqytetit, Kiev, tha se Rusia vrau katër persona në një sulm me dron të hënën.

Irani ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat se ka furnizuar me dronë Rusisë si “të pabazuara dhe të pavërtetuara”. Kremlini thotë se nuk ka njohuri për forcat ruse që përdorin dronët iranianë në Ukrainë. Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët në konfliktin, i cili filloi më 24 shkurt kur forcat ruse nisën një pushtim të plotë të Ukrainës.


Shtuar 20.10.2022 16:38