BE premton bursa studimi për Tiranën në Samitin e Brukselit

Shumica e vendeve anëtare të BE-së, disa nga partnerët e Ballkanit Perëndimor, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe Komisioni Evropian kanë premtuar sot bursa studimi për studentët e kampusit të ri të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Nisma për krijimin e kampusit u lançua gjatë Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian. Prania e Kolegjit të Evropës në Tiranë tregon këtë objektiv dhe nënvizon besimin e fortë në potencialin transformues, integrues dhe pajtues të arsimit”, tha Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.

Ambientet u inauguruan më 16 tetor 2023 në Tiranë dhe nisën aplikimet për vitin akademik pilot 2024/25. Ky është zgjerimi i parë i Kolegjit që nga themelimi i Kampusit Natolin në Poloni në 1992.

“Sot ju investoni në brezin që do ta bëjë realitet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ne angazhohemi t’u ofrojmë atyre përsosmërinë e njohurive, aftësive dhe rrjetit që do t’i fuqizojë ata për ta arritur këtë gjë. Jam i sigurt se premtimet tuaja sot janë dëshmi për angazhimin tuaj politik të së nesërmes”, u shpreh Federica Mogherini, Rektore e Kolegjit të Evropës.

Gjenerata e parë do të ketë rreth 30 studentë nga Ballkani Perëndimor, BE dhe më gjerë, numër që pritet të rritet në vitet në vijim.


Shtuar 13.12.2023 19:10