BE: Kosova dhe Serbia të gjejnë zgjidhje evropiane për zbutjen e tensioneve

Bashkimi Evropian u bëri thirrje të hënën Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një zgjidhje, siç u tha, evropiane, për të zbutur tensionet në terren, pasi përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës braktisën institucionet e vendit, pas mospajtimeve rreth vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha në një konferencë me gazetarë se ditëve të fundit është parë tensionim shumë i rrezikshëm i situatës, që mund të ketë pasoja serioze jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin.

“E shohim nga rasti i Ukrainës dhe Rusisë ku kemi një sulm brutal të armatosur nga një vend ndaj një vendi tjetër ndërsa pasojat nuk kufizohen vetëm te këto dy vende, por po prekin gjithë botën. Kështu që nëse kemi një shpërthim tjetër në Evropë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse nëse tensionimi vazhdon askush nuk mund ta parandalojë shpërthimin e incidenteve të padëshirueshme që mund të çojnë në dhunë, pra nëse ndodh diçka në nivel lokal do të ketë pasoja për tërë rajonin. Kjo është diçka që Evropa nuk mund të përballojë, Serbia e Kosova nuk mund ta përballojnë dhe rajoni nuk mund ta përballojë”, tha ai.

Zëdhënësi Stano tha se është detyrim i qartë për Kosovën që menjëherë të ndërmarrë hapa konkret për themelimin e Asociacionit të komunave me shumcië serbe që sipas tij është një detyrim ligjor.

“Dështimi i vazhdueshëm për ta përmbushur atë, dëmton jo vetëm përpjekjet për sundimin e ligjit në Kosovë, por dëmton edhe reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës. U takon tani të dy palëve të shfaqin përkushtimin e tyre për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Edhe Shtetet e Bashkuara u kanë bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të zgjedhin rrugën e bisedimeve dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe përplasje.

Një zëdhënës i ambasadës amerikanë në Prishtinë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe vënë në rrezik paparimin e rëndësishëm të arritur në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të dala nga bisedimet dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësi tha se autoritetet e Kosovës duhet të respektojnë detyrimet e tyre dhe kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të afatit për konvertimin e targave të makinave si dhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Situata në veriun e Kosovës duket e qetë të hënën ndërsa kanë vazhduar tërheqjet e përfaqësuesve serbë nga institucionet vendase.

Deputetët serbë dorëzuan të hënën mandatet e tyre në parlamentin e Kosovës.

Kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, tha se dorëheqjet e deputetëve por edhe të gjitha zhvillimet e ditëve të fundit janë organizim i Serbisë.

“Përpjekja e (Aleksandër) Vuçiçit e përkthyer politikisht unë mendoj se ka nisur pikërisht ditën e djeshme vetëm për një arsye. Mendoj që arsyeja e vërtetë e orkestrimit të gjithë këtyre akteve është të mbulohet atë që ka qenë thelbësore ditën e djeshme, e ajo është që Republika e Serbisë zyrtarisht e ka refuzuar planin franko gjerman”, tha zoti Konjufca.

Ai tha se dorëheqjet nuk e cenojnë punën e parlamentit.

“Ligji i Republikës së Kosovës thotë se ata deputetë duhet të zëvendësohen. Unë do t’i drejtohem presidentes së vendit e pastaj procedurat tjera thonë që presidentja i drejtohet Këshillit Qendror të Zgjedhjeve e pastaj ky institucion i përgjigjet presidentes me propozimet e reja të cilat me sa di prapë vijnë nga e njëjta listë. Pastaj nëse edhe ata refuzojnë, ata që janë në radhë, procedura përsëritet derisa të plotësohen vendet e reja në parlament të deputetëve nga pakica serbe”, tha ai.

Me një nëntor autoritetet e Kosovës filluan zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për targat e makinave që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm, por kjo kundërshtohet nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës. Vendimi i qeverisë së Kosovës u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për një shtyrje dhjetë muajshe.

Qeveria e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos braktisin institucionet, ndërsa tha se “ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Republikës nuk mund të komprometohen” dhe se “dialogu dhe institucionet nuk kanë alternativë”.

Veprimet e qeverisë nxitën edhe reagimet e opozitës në Kosovë e cila i bëri thirrje qeverisë të bashkërendojë vendimet e saj me aleatët, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./VOA


Shtuar 7.11.2022 16:48