Protestat në Shqipëri kundër projektit turistik të parashikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit kanë marrë vëmendjen e BBC Global Woman. Media i ka përshkruar tubimet si një prej lëvizjeve më të mëdha qytetare të muajve të fundit.
Lëvizja, e pagëzuar “Revolucioni i Flamingove”, nisi si kundërshtim ndaj planit për ndërtimin e një resorti luksoz pranë një ekosistemi të mbrojtur, i cili shërben si habitat për flamingot, fokat dhe breshkat e detit. BBC raporton se, që nga fundi i muajit maj, mijëra qytetarë kanë protestuar në rrugët e Tiranës për të kërkuar anulimin e projektit.
Të lidhura
None found
Në artikull vihet në dukje edhe qëndrimi publik i këngëtares shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa. Në episodin e podcastit të saj me shkrimtaren dhe akademiken Lea Ypi, të publikuar më 14 korrik, artistja e cilësoi frymëzues mobilizimin qytetar.
“E gjej shumë frymëzuese ta shoh sa shumë u intereson njerëzve, e dini, ditë pas dite ata po dalin në rrugë”, u shpreh Dua Lipa gjatë bisedës.
Pjesë e raportimit është edhe dëshmia e Asllan Llani Dogjanit, një student 23-vjeçar, i cili e krahasoi vlerën që ka Zvërneci për Shqipërinë me rëndësinë e Kanionit të Madh për Shtetet e Bashkuara.
“Nëse do të isha në Shtetet e Bashkuara dhe ata do të ndërtonin një resort me pesë yje në Kanionin e Madh, do të mërzitesha shumë sepse është një thesar kombëtar. Kështu është edhe Zvërneci këtu për Shqipërinë”, deklaroi ai për Reuters.
Sipas BBC-së, projekti turistik, me një vlerë rreth 1.4 miliardë euro, lidhet me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, dhe Ivanka Trump. Asher Abehsera, partneri i biznesit të Kushner, deklaroi për BBC-në se investimi synon menaxhimin me përgjegjësi të zonës, përmirësimin e mjedisit dhe hapjen e vendeve të reja të punës për komunitetin vendas.
Kryeministri Edi Rama, ndërkohë, ka dalë në mbrojtje të projektit dhe ka thënë se nuk ekziston “asnjë shans” që ai të ndalet gjatë mandatit të tij. BBC bën të ditur gjithashtu se i ishte drejtuar Organizatës Trump për një koment, por nuk kishte marrë përgjigje.
