Bashkëshorti e dhunonte, prindërit i kërkojnë vajzës t’i japë një shans të dytë

Dhuna në familje si fizike dhe psikologjike është një ndër fenomenet më shqetësues në shoqërinë shqiptare sidomos vitet e fundit.

Pavarësisht dhunës së ushtruar në mënyrë të vazhdueshme, gratë shqiptare kanë frikë t’i tregojnë të afërmve të tyre gjendjen në të cilën ndodhen. Paragjykimet e njerëzve dhe mentaliteti janë faktorë të cilët ndikojnë shumë që gratë e dhunuara të stepen dhe të mos kërkojnë ndihmë.

E tillë ishte dhe historia e Klodit që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”, historia e një gruaje të fortë që kishte vendosur të largohej nga dhuna. Klodi në studio rrëfeu se familja e saj e kishte martuar me mblesëri që në moshën 18 vjeçare, pa miratimin dhe pëlqimin e saj. Sipas Klodit, ish-bashkëshorti i saj nuk punonte dhe nuk kujdesej për familjen, por të gjitha paratë i luante në bixhoz.

Gjithashtu Klodi shtoi se situata në familje ishte përkeqësuar më shumë, pasi ish-bashkëshorti i saj kishte filluar të konsumonte alkool. Në këto momente ai kishte filluar të ushtronte dhunë të vazhdueshme mbi Klodin dhe dy fëmijët e tyre. Klodi e lodhur nga kjo situatë kishte vendosur që të largohej dhe kishte kërkuar ndihmën e prindërve të saj, Minushes dhe Ramazanit. Për shkak të mentalitetit dhe paragjykimeve, prindërit e saj i kishin kërkuar Klodit që të rikthehej me ish-bashkëshortin duke i dhënë një mundësi të dytë, por asgjë nuk kishte ndryshuar.

Për këtë arsye, Klodi kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” si një urë komunikimi me prindërit e saj për tu kërkuar ndihmë, por edhe se ajo nuk dëshiron që të rimartohet siç kërkojnë Minushja dhe Ramazani.

“Ju e dini tepër mirë se pse jam larguar nga ai, por dua të dini se nuk do i lë kurrë fëmijët me atë. Unë nuk dua të martohem përsëri, dua që të rris fëmijët e vetme dhe të punoj e të jetoj vetëm për ta. Prandaj dua që të më ndihmoni dhe jo të më kërkoni që të rimartohem”,- ishte kërkesa që kishte Klodi për prindërit e saj.

Nga ana tjetër prindërit u shprehën se dhe ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të dhunohet dhe se vendimi i saj për tu ndarë ishte i duhuri. Sipas Minushes dhe Ramazanit, Klodi duhet të vazhdojë jetën se është akoma e re dhe të krijojë një familje tjetër duke lënë pas të shkuarën.

Shtuar 13.03.2021 10:03