Mbrëmjen e djeshme, Lulzim Basha, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka deklaruar se drejton partinë Demokratët Euro Atlantikë dhe se kjo parti ka në gjirin e vet “kolosë”, të cilët do të garojnë në zgjedhje.
I pyetur nga gazetari Ylli Rakipi, se pse e mbajti vulën e PD-së me procese gjyqësore kur nuk e kishte me vete anëtarësinë, Basha tha se nuk është e vërtetë që shumicën e anëtarësisë e ka Berisha dhe se këtë e vendos statuti dhe jo perceptimi i publikut.
Biseda në studio:
Rakipi: Për një kohë të gjatë ju bëtë një luftë për vulën në PD. Dje gjykata regjistroi përfundimisht Saliun si kryetar, pra pronarin, që ia këpute vulën ca kohë, e mori prapë. Ju e mbajtët vulën me procese gjyqësore kur qartazi anëtarësia nuk ju donte, por donte Berishën. Pse e patë të arsyeshme të mbanit vulën kur nuk kishit legjitimitet në PD?
Basha: “Si në cdo realitet funksionojnë statute dhe ligjet. Dikush thotë je ti shumicë, dikush thotë je pakicë, dikush thotë duan Saliun, të tjerë thonë duan Lulin, por vendos ligji dhe statuti. E kemi çuar në rekurs në GJykatën e Lartë. Gjykata e Lartë ka thënë se apeli duhet ta shqyrtojë në themel çështjen. Gjykata e Apelit në thyerje të këtij vendimi nuk e ka hapur fare çështjen dhe ka thënë se pala e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj nuk legjitimohet. Kjo ka shkuar në Gjykatë të Lartë dhe presim drejtësi”.
Rakipi: Akoma? Nuk e merr aty. Në këtë rast, Saliu i ka ata (anëtarësinë).
Basha: “Ti operon me idenë që ndoshta të është ngulitur që në vitet 90’ kur ke qenë afër Marshallit, që PD është pronë private e Berishës”.
Rakipi: Padyshim. Atëherë isha i ri dhe mendoja kështu. Tani mendoj më keq akoma, ai është pronari. Ti e pranove në njëfarë mënyrë.
Basha: “Jo thashë të kundërtën, PD nuk është klubi Partizani që të privatizohet dhe të bëhet pronë, as e një njeriu dhe as e një familje”.
Rakipi: Është më shumë se klubi, vetëm ti nuk e paske kuptuar…
Basha: “Ky është mendimi juaj. Jo vetëm nuk jam dakord, por është premisa që PD nuk mund të jetë kurrë pronë private e një njeriu. Në çdo gjykatë do ta kërkojmë deri në Strasburg, derisa të kthejmë drejtësinë në këtë vend. Kjo nuk na pengon të vazhdojmë me ndërtimin e alternativës tonë politike që do ta kemi në zgjdhje”.
Rakipi: Çfarë alternative, ti nuk ke emër tani.
Basha: “E kemi Demokratët Euroatlantik. Do të përdorim hapësirën që na jep Kodi që lista e hapur dhe program ynë të jenë ofertë”.
RAkipi: Kjo demokratët euroatlantikë, do ti kërkosh në oqean tani, ngaqë nuk ke kët?. Në Atlantik nuk ka njerëz o vlla, peshq ke… Ti thua jemi demokratët euroatlantikë, ai e ka rrëmbyer të gjithën pronën e vet…
Basha: “Ai ka mbyllur në një grup të vogël njerëzish egoistë, që për fatet e tyre i kanë vënë shkelmin shpresave të demokratëve për ndryshim”.
Rakipi: Edhe njerëzit që ke krijuar ti, i mori ai. E puthin në ballë atë.
Basha: “Janë njerëz që e kanë parë PD-në si mënyrë përfitimi personal. Jam i lumtur që nuk janë më në krahun tim. Sot kam njerëz që janë kolosë. Ndoshta emrat e tyre nuk kanë arritur të shpalosen në media, por janë njerëz që kanë luftuar dhe kanë qëndruar”.
Rakipi: Ç’kolosë? Ku i ke kolosët o vlla se na çmendo ore, ku i ke kolosët?
Basha: “Kolosë në qëndrim, kolosë në mendim, kolosë në angazhim, sepse në një kohë të vështirë kur njerëzve që u kishim vënë spaletat e rënda dhe shkuan të lëpijnë atë që kishin pështyrë, këta njerëz të tjerë, që ti ndoshta i njeh një pjesë prej tyre”.
Rakipi: Ku janë ore nxirri! Ti thërrasim këtu edhe ti intervistojmë.
Basha: “Një pjesë edhe i ke patur, deputetë, anëtarë kryesie”.
Rakipi: Pampurin njoh unë vetëm. Kush është tjetër? Të ikën edhe ata G-12? Ky që kishe më të afërtin, Alibeu, iku krijoi 1912-tën.
Basha: “Shumë mirë, ashtu e ka menduar edhe ai si ty, që PD është pronë e Berishës dhe duhet parti tjetër. Ndërsa unë dhe qindra mijëra të tjerë, mendojmë se PD nuk mund të jetë pronë private e askujt dhe do të luftojmë deri në fund në gjykatë ndërkohë do të bëjmë betejën para shqiptarëve”.
Rakipi: Ti qofsh por unë nuk e kuptoj këtë gjë. Ai tani pronari, i mori të gjithë, edhe ata që kishe ti, madje dhe ata që krijove ti. Ti më thua mua ka kolosë, jo po ka lindur Sami Frashëri dhe Petro Nini Luarasi që të vijnë te ty. Ku i ke mo?
Basha: “Re me këmbët e tua brenda. Ti pranon se një numër individësh në disa raste, sic e the vetë, të nxjerrë nga anonimati nga unë, të veshur me besim nga vota e demokratëve dhe pastaj që janë zhytur në xhepin e interesave të tyre të vogla, që kanë filluar të lëpijnë me shumë pasion atë që kanë pështyrë për tre vite dhe që rrethojnë sot një drejtues politik non-grata nga SHBA dhe MB, i pandehur për korrupsion, përbëka alternativë, ndërsa një grup që pikërisht këtë refuzon, premisën e një partie pronë private, një grup që ka qëndruar para një lumi vreri, shpifjesh, sulmet nga më të egrat, jo vetëm verbale, se janë në pazar me njëri tjetrin, pse qëndrojnë? Sepse besojnë te diçka më e madhe, ia vlen ta bësh këtë luftë. Pra i merr shqiptarët në këtë supozim si peshq. Unë nuk i shoh si peshq”.