Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar kandidatin e demokratëve për Bashkinë e Lushnjes, Indrit Sefën.
Ai tha se Sefa ka luftuar kundër padrejtësive që i bëheshin këtij qyteti, kundër privimit të lirive nga qeveria e Edi Ramës.
“Njësoj si në atë kongres historik, në atë ngjarje të madhe të shpalljes së Pavarësisë, familjarët e Indrit Sefës kanë luajtur një rol kyç, jo për veten e tyre por për gjithë Shqipërinë. Ndaj sot e kam kënaqësi të ndodhem në mesin tuaj dhe t’ju them, se ndonëse shpesh kam qenë dhe kam dëgjuar avokatinë e Indrit Sefës, kur luftonte kundër padrejtësive, kundër shtypjes dhe privimit nga qeveria banditeske e Edi Ramës. Unë i kam dëgjuar nga goja e bashkëpunëtorëve të tij, rolin e tij vendimtar që bënte diferencën mes padrejtësisë dhe drejtësisë, nuk kam patur asnjë hezitim, kur demokratët lushnjarë e propozuan si kandidatin e PD-së për bashkinë e Lushnjes. Jam këtu sot me zemër plotë me krenari. Është Indrit Sefa kandidati i PD-së.
Është njeriu që do të punojë për qytetin, që nga familjet e vjetra themeluese të qytetit, e deri tek fermerët në cepat më të largëta të kësaj bashkie. Në veçanti jam i bindur se zgjedhja e një njeriu, jo vetëm me një fytyrë njerëzore, por me një moral të mirë, është një avantazh për PD-në. Është një ofertë e pamundshme nga askush tjetër, për qytetarinë lushnjare. Një nga arsyet kryesore pse kemi mbetur këtu është model ii korrupsionit, ajo buron nga një fytyrë ç’njerëzore e politikës. Nuk ka lidhje me hallet e njerëzve, shpresat e tyre, nuk ka asnjë lidhje me brengën e fermerëve lushnjarë. Në momente të tilla, zoti nuk na ka braktisur”, tha Basha./albeu.com