Basha për një emision televiziv, ka shprehur se grupi që ai drejton është i hapur për aleancë me forcat e reja politike që refuzojnë tangon e vjetër politike.
Sipas tij, pavarësisht prej dallimeve programore që mund të kenë, i bashkon vendosmëria për të mos pranuar një 34 vjeçar tjetër që e mban Shqipërinë peng të dinozaurve të tranzicionit.
“Ne kemi themeluar tashmë një hark opozitar euroatlantik i cili është i gatshëm, i hapur për bashkëpunim me të gjithë forcat politike, përfshirë dhe forcat e reja politike. Sepse me ato forca politike, pavarësisht prej dallimeve programore që mund të kemi, na bashkon vendosmëria për të mos pranuar një 34 vjeçar tjetër si ky që lamë pas. Tranzicioni duhet të mbyllet, dinozaurët e tranzicionit nuk mund të vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë peng. Dhe për këtë ne jemi gati dhe ftojmë për bashkëpunim të gjithë ata që njësoj si ne kanë shpalosur vendosmërinë për t’i qëndruar atiyre synimeve që në fakt nuk janë thjesht tonat, janë të qytetarëve. Listat e hapura, vota e diasporës, votimi elektronik, Shqipëria një zonë elektorale apo çfarëdo lloj forme tjetër që sjell barazinë e votës dhe të cilat qartësisht i bashkojnë edhe aksin e të vjetrës dhe të keqes, e bashkojnë tangon siç e kanë bashkuar në sabotimin e Reformës Zgjedhore për t’i pamundësuar shqiptarëve arritjen e këtyre objektivave. Pra, po, shkurt dhe qartë, kemi një aleancë të cilën duam ta zgjerojmë dhe ta forcojmë, sepse besojmë që kjo aleancë duhet të përfaqësojë mbi 70% të shqiptarëve që duan ndryshim dhe nuk e gëlltisin dot më një tjetër tango midis Edi Ramës dhe Sali Berishës” – tha Basha.