Basha nga Kurbini: Demokracia arrest kardiak më 25 prill, vota u tjetërsua në të gjitha mënyrat

Kryedemokrati Lulzim Basha, teksa po kërkon një tjetër mandat në krye të partisë, ka akuzuar nga Kurbini kryeministrin Edi Rama për garë të pabarabartë më 25 Prill.

Sipas Bashës, procesi zgjedhor është arrest kardiak për demokracinë në Shqipëri. Më tej, Basha shton se PD doli nga beteja ashtu si në vitin 1991 me pushtetin moral për të ndihmuar njerëzit në shpresën për ndryshim, gjë që e quajti fitoren më të madhe.

“Të bashkëpunosh pa vija të kuqe me njeriun që e futi demokracinë dhe vendin në arrest kardiak do të thotë të bëhesh bashkëfajtor. Lulzim Basha nuk e njeh rezultatin e tjetërësuar të 25 Prillit. Pa këtë nuk ka themel për aksion politik në dobi të shqiptarëve. Ftesa ime për ju është një dhe vetëm një. Pa dorashka dhe zbukurime. Betejën ta çojmë deri në fund. Jemi në këmbë dhe ta mbajnë ndezur zjarrin që ndezëm, zjarrin e shpresës në zemrat e shqiptarëve që na ndoqën. Ta mbajmë ndezur këtë zjarr dhe kërkoj besimin tuaj të vazhdoj t’i prij kësaj beteje bashkë me ju”, tha Basha.

Po ashtu, kryedemokrati theksoi se “ajo që Shqipëria përjetoi me 25 prill, është arrest kardiak i demokracisë sepse tjetërsimi i vullnetit të shqiptarëve nuk ndodhi në 1, 2, 3 apo 10 forma, por ndodhi në të gjithë format e mundshme“.

“Dhe cdo ditë që kalon, në çdo qark që vizitoj, në çdo ekspozim që i bëhet fakteve del katalogu i plotë, i gjatë, i vjedhjes, blerjes, shantazhit, intimidimit, presionit të tre faktorëve. Një partie të korruptuar deri në palcë dhe qeveris që ajo ka, shkrirjes se strukturave shtetërore me atë parti dhe faktorit të krimit të organizuar dhe të oligarkisë që u bën njish për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve“, tha ai.


Shtuar 31.05.2021 19:57