Basha mbledh Kolegjin e Kryetarëve një ditë pas “rizgjedhjes” në krye të PD

Lulzim Basha ka thërritur Kolegjin e kryetarëve këtë të dielë, një ditë pas zgjedhjeve ku ai u rikonfirmua në krye të PD.

Të pranishëm në këtë mbledhje përkrah tij veç kryetarëve të degëve që e mbështetën, ishin edhe Enkelejd Alibeaj i cili dei në 14 maj ishte kryetari i komanduar i PD, si dhe Indrit Sefa.

Në fjalën e tij Basha tha se tashmë është koha që të nisë puna për bashkimin e partisë.

Jam i vetëdijshëm për kohën e vështirë që kemi kaluar dhe sfidat në të cilat ndodhet PD, demokratët dhe opozita. E di se lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma, ca të vërtetë, e dhimbshme siç është e vërteta e ca të sponsorizuar nga ata që duan me çdo kusht të ruajnë status quo-në. Që e duan Shqipërinë kështu, pa mundësi ekonomike, pa liri tregu, pa konkurrencë as në politikë, as në ekonomi, me media nën presion dhe censurë, me drejtësi nën presion, pa barazi para ligjit.

Por e di po kështu se mbi të gjitha dhe para së gjithash e sotmja nuk shënon votën për një individ, as një proces të thjeshtë dhe brenda një partie, por shënon nisjen e punës. Dhe puna fillon menjëherë për të ndërtuar mes dy brigjeve të lumenjve të mosbesimit urën mes bregut të sotëm të dëshpërimit të kaq shumë shqiptarëve të djathtë e të majtë, mes depresionit psikologjik, ekonomik e social ku e ka kredhur stanjacioni i gjithanshëm.

Mes mllefit, zemërimit por edhe dëshirës për ndryshim që shpaloset anekënd dhe bregut të shpresës e të besimit tek një projekt politik që nuk do të sjellë thjesht ndryshimin e partive në qeveri, por ndryshimin e qeverisjes njëherë e mirë për çdo shqiptar”, u shpreh ai.


Shtuar 30.07.2023 19:15