Barinjtë “akademikë” të Dibrës kanë një përgjigje për ministren Krifca

Propozimi i Ministres së Bujqësisë Frida Krifca për hapjen e një akademie për barinjtë nuk ështe marrë edhe aq seriozisht nga këta të fundit. Barinjtë nga Dibra thonë se puna e tyre do vetëm vullnet, ndërsa sugjerojnë se në shkollë duhet të shkojnë politikanët dhe jo çobanët.

“Kam pas 200 krerë bagëti dhe nuk kam pas nevojë për shkollë, shkollën çobani e di vetë.”

Imer Hoxha sipas propozimit të Ministres së Bujqësisë, është kandidat për të marrë një diplomë si bari.

Por, i moshuari nga Kalaja e Dodës në Dibër thotë se nga përvoja e disa viteve ai është akademik në punën që bën.

Ndaj nismës së qeverisë i përgjigjet me një tjetër propozim.

“Shkollë duan politikanët jo bagëtia, politikanët janë bërë më keq.”

Lim Shahini nga fshatrat e Klosit, që prej vitesh e mban familjen me punën e çobanit, nuk merret shumë me politikën e madhe që diskutohet në Tiranë.

Por me prevojën e jetës e lajmet që ka dëgjuar i kujton Ministres së Bujqësisë se jo vetëm shqiptarët me shkollë, por edhe fermerët po ikin nga Shqipëria.

“Ata me shkollë ikin, nuk rrinë këtu.”

Sa për idenë e Akademisë së Barinjve, vetë barinjtë e kanë kuptuar si përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta.

“Politikanët nuk kanë çfarë thonë tjetër dhe thinë duhen barinjtë me shkollë”.

Ministrja Frida Krifca jo vetëm që e mbrojti idenë e saj por ajo tha se propozimi i Akademisë së Barinjve  ishte i mbështetur në modelet të  ngjashme me vendet e zhvilluara./Ora News/