Pas deklaratës së sotme të ish-kryeministrit Sali Berisha që tha se Gazment Bardhi duhet të tregojë rolin e tij në vrasjen e Pjerin Xhuvanit gjatë fushatës zgjedhore të vitit të shkuar, ka reaguar Partia Demokratike përmes një postimi në Facebook.
PD shkruan se është e pafalshme të shohësh sesi Berisha mbron bandat e Elbasanit, duke shtuar se ai është peng i tyre.
“Mjafton të shikoni sot vendimin e Komisionit të Ligjeve, për të kuptuar se si Edi Rama është aleati i Sali Berishës. Ata kanë halle të përbashkëta dhe për hallet e tyre duan të bëjnë kurban PD-në”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Deklarata e PD:
PD dënon me forcë përdorimin e një ngjarje të rëndë për interesa të Sali Berishës.
Është e pafalshme të shohësh se si Sali Berisha mbron bandat e Elbasanit edhe pse ai tashmë është peng i tyre, sepse i përdori kundër demokratëve në tentativën e tij për të marrë peng PD.
Për hallin e tij, Sali Berisha bëri koalicion edhe me Aqif Rakipin, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon. Këtë e dinë gjithë demokratët dhe gjithë qytetarët e Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit. Për hallin e tij, Sali Berisha kërkon të shkatërrojë PD-në dhe ta izolojë atë nga çdo partner ndërkombëtar.
Siç po shihet çdo ditë në këtë sipërmarrje, ai ka partner kryesor Edi Ramën.
Mjafton të shikoni sot vendimin e Komisionit të Ligjeve, për të kuptuar se si Edi Rama është aleati i Sali Berishës. Ata kanë halle të përbashkëta dhe për hallet e tyre duan të bëjnë kurban PD-në.
Çfarë ndodhi në prill të 2021
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “5 Maj” në Elbasan. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë aktivisti i PS-së për Elbasanin, Pjerin Xhuvani. Në këtë përplasje, mbeti e plagosur efektivja e policisë, Xhensila Sota dhe tre persona të tjerë.
Sipas policisë, përplasja me armë ndodhi për shkak të dyshimeve të shtabit elektoral të PD, se një makinë e shtabit të PS-së po shpërndante para në këmbim të votave./albeu.com