Bardhi: PD do të votojë kundër paketës fiskale dhe buxhetit 2022

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në Kuvend ka folur për rritjen e çmimeve dhe buxhetin e 2022.

Bardhi u shpreh se çmimet janë rritur, njerëzit konsumojnë më pak dhe sipas tij, Qeveria do të rrisë taksat dhe përmes tyre, do të rrisë çmimet për shqiptarët për të paguar koncesionet e reja dhe të vjetra, që nuk prodhojnë vende pune, nuk prodhojnë zhvillim.

Po ashtu tha se, është një qeveri që thyen rekorde, kur vjen fjala për të zhvatur dhe plaçkitur njerëzit

“24 orët e fundit në këtë parlament është folur shumë për efektet që do të kenë në ekonominë e familjeve tuaja vendimet e qeverisë me paketën fiskale dhe buxhetin e vitit të ardhshëm. Nuk kemi pse ngatërrohemi me shumë shifra. Nuk ka nevojë për të qenë ekonomist për të kuptuar, nëse një paketë fiskale apo një buxhet është i mirë apo i keq për njerëzit.

Të dashur qytetarë! Shikoni në raftet e ushqimeve në shtëpinë tuaj! Shikoni në frigoriferin tuaj! Nëse keni më shumë, atëherë kjo qeveri ka bërë një punë të mirë. Por nëse keni më pak ushqime, nëse me të njëjtën shumë lekësh blini më pak gjëra dhe rroga juaj nuk ka ndryshuar, atëherë punët janë keq!

Nuk ka asnjë dyshim se jemi në skenarin e dytë! Çmimet janë rritur, njerëzit konsumojnë më pak! Është e qartë se punët janë keq dhe do të shkojnë akoma më keq për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, sepse as buxheti, as ligjet e taksave nuk punojnë për ta, por për një grusht njerëzish pranë kryeministrit. Punojnë për një grusht njerëzish që ndajnë paratë tona me ministrat dhe drejtorët e qeverisë së Edi Ramës.

Qeveria do të rrisë taksat dhe përmes tyre, do të rrisë çmimet për shqiptarët për të paguar koncesionet e reja dhe të vjetra, që nuk prodhojnë vende pune, nuk prodhojnë zhvillim.

Është një qeveri që thyen rekorde, kur vjen fjala për të zhvatur dhe plaçkitur njerëzit. Nga njëra anë ka parashikuar që të marrë vitin e ardhshëm rreth 1 miliardë usd borxh, nga ana tjetër nuk ka rritje reale rrogash, pensionesh, nuk ka vende të reja pune, nuk ka investime domethënëse. Merr 1 miliard euro të tjera borxh për të paguar koncesionet”, tha Bardhi.

Më tej Bardhi tha se, kjo është aryseja pse PD do të votojë kundër paketës fiskale dhe buxhetit 2022.

“Kurrë më parë njerëzit nuk kanë paguar kaq shumë për të blerë kaq pak. Kjo është pasojë direkte e keqqeverisjes, e vjedhjes, e zhvatjes. Prandaj partia Demokratike do të votojë kundër paketës fiskale të Edi Ramës, kundër buxhetit të oligarkëve dhe klientëve të Edi Ramës! Kjo nuk është një votë kundër e opozitës thjesht për të votuar kundër qeverisë! Është votë kundër marrjes peng të vendit për interesin e pak njerëzve, që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, duke zhvatur shqiptarët.

Është një votë kundër në emër të të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe punëtorë që nuk duan të ikin nga vendi dhe që po përpiqen me të gjitha forcat për të ndërtuar një jetë dinjitoze. Është një votë kundër në emër të rinisë që do shkollim më të mirë dhe mundësi për punësim. Është një votë kundër edhe në emër të prindërve tanë dhe pensionistëve, që nuk panë asnjë ditë të bardhë me këtë qeveri.

Kjo është një votë kundër borxhit stratosferik që nuk është përdorur nga ky kryeministër për të hapur vende të reja pune, nuk është përdorur për të mundësuar arsim më cilësor, nuk është përdorur për një sistem më të mirë shëndetësor”, tha Bardhi./albeu.com


Shtuar 16.11.2021 10:41