Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi Kryeministin Edi Rama se po përjashton opozitën nga tryeza e negociatave me qëllim për të fshehur të vërtetën. Duke folur në deklaratë për mediat, Bardhi theksoi se Shqipëria po hyn në fazën e re të negociatave me më shumë kushte dhe më pak besim nga blloku evropian ndaj qeverisë.
Bardhi përmendi edhe rastin e Belinda Ballukut, ku socialistët refuzuan t’i hiqnin imunitetin e deputetes, duke theksuar se pas këtij veprimi të maxhorancës, Unioni evropian vendosi kusht heqjen e imunitetit sipas standardeve evropiane.
Të lidhura
None found
“Edi Rama përjashton opozitën nga tryeza e negociatave se kërkon të fshehë të vërtetën, se Shqipëria po hyn në fazën më të rëndësishme të procesit me shumë kushte dhe mosbesim. As fotot dhe shampanja e propagandës nuk e fshehin dot të vërtetën se vetëm për grup kapitullin themelor, BE i vendosi Shqipërisë në raportin e miratuar pak ditë më parë 34 kushte shtesë, të gjitha më të Rënda dhe asnjë lehtësim. E vërteta është se për herë të parë BE ka kthyer në kushte çështje që lidhen me mënyrën se si po qeveriset.
Korrupsion masiv dhe vendimtar, imuniteti politik për korrupsionin, dobësim të kontrollit parlamentar, pastrim i parave në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme dhe mungesë në transparencë në tendera. Sot pasi Edi Rama rrëzoi kërkesën e SPAK për Ballukun, BE ka vendosur si kushtet heqjen e imunitetit sipas standarteve evropiane për të gjithë zyrtarët e nivelit të lartë ky akt politik ka përcaktuar qëndrimet e mëvonshme të BE duke rënduar ndjeshëm pozitën e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit,” tha Bardhi.
