Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u përball në debat me gazetaren Klodiana Lala lidhur me zhvillimet brenda kësaj force politike.
Gjatë diskutimit, Lala argumentoi se PD-ja ndodhet nën kontrollin e kryetarit Sali Berisha, i cili, sipas saj, po pengon rifreskimin dhe funksionimin e partisë nën drejtimin e figurave të reja.
Të lidhura
None found
Bardhi tha se në PD ka nisur një proces ndryshimi dhe se tashmë sekretariati i ri përbëhet nga 14 të rinj dhe të reja. Ai theksoi se këtyre anëtarëve duhet t’u jepet mundësia për të kontribuar dhe se nuk mund të paragjykohen.
Lala kundërshtoi duke deklaruar se partia drejtohet nga një kryetar i vjetër, i cili, sipas saj, po e mban peng PD-në.
Bardhi iu përgjigj se ky ishte një vlerësim personal i gazetares dhe e pyeti nëse ajo ishte anëtare e Partisë Demokratike.
Lala sqaroi se ndodhej në studio si gazetare dhe shtoi se Berisha duhet të tërhiqet për t’i hapur rrugë një partie të re dhe vitale.
Në përfundim, Bardhi theksoi se vendimin për drejtuesin e partisë e marrin anëtarët. Sipas tij, një parti mund të konsiderohet e marrë peng vetëm në rast se anëtarët nuk e duan kryetarin.
