Karabinierët kanë sekuestruar 30 kilogramë hashash të ndarë në blloqe me figurën e lojtarit të PSG-së, Achraf Hakimi dhe arrestuan një 31-vjeçar maroken në rrugën Taccioli, në zonën Comasina, në periferinë veriore të Milanos. Policët vunë re një makinë të dyshimtë të parkuar me një burrë që priste.
Menjëherë pas kësaj, mbërriti një makinë e dytë dhe hetuesit vunë re se dy burrat shkëmbyen një pako. Rezultoi se shoferi i njërës prej makinave, një shqiptar, kishte një kile hashash të sapo blerë. Kur u ndalua edhe marokeni, policët gjetën në një çantë mbi 11.500 euro para cash.
Kontrolli i shtëpisë së tij në zonën Isola të Milanos bëri të mundur gjetjen e mbi 30 kilogramëve hashash me imazhin e futbollistit. Burri, i dënuar për drogë, u arrestua dhe tani ndodhet në burgun e San Vittore. 43-vjeçari shqiptar u hetua për veprën penale të trafikimit të drogës.