Balona spiune kineze mbi SHBA, një autogol i bujshëm i Xi Jinping

Nga Federiko Rampini “Corriere della Sera

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Vendimi i Antony Blinken për ta shtyrë vizitën e tij zyrtare në Pekin (do të ishte Sekretari i parë i Shtetit i SHBA-së që do të takonte Xi Jinping pas 5 vitesh, i fundit ishte Rex Tillerson në vitin 2017 kur Donald Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë), i ka dhënë një trajektore shqetësuese krizës së shkaktuar nga balona spiune kineze që u kap duke fluturuar mbi qiejt e Amerikës.

Ky incident na kujton historinë e avionit spiun amerikan U2-Amerikan, që u rrëzua nga sovjetikët në vitin 1960, në prag të një samiti të rëndësishëm dypalësh SHBA-Bashkimi Sovjetik. Në këtë krizë të re ekziston edhe një element i politikës së brendshme: shumica

e re republikane në Kongres është padyshim më shumë anti-kineze sesa ekipi i Joe Biden. Shumë republikanë do të kishin dashur që balona spiune të rrëzohej nga avionët luftarakë të Forcave Ajrore të SHBA-së, duke përsëritur “kokëposhtë” skenarin e vitit 1960. Në atë kohë avioni amerikan spiun U2 u rrëzua nga një raketë dhe piloti i tij u kap nga sovjetikët.

Pastaj nuk duhet harruar edhe Loja e Madhe SHBA-Kinë, e cila është riaktivizuar në Azi, me bazat e reja ushtarake amerikane në Filipine, që po ngrihen për t’u përgatitur për një skenar të mundshëm për pushtimin e Tajvanit nga Kina. Kjo ngjarje ndodhi pikërisht në kohën kur Biden dhe Xi Jinping po përpiqeshin të përcaktonin së bashku rregullat e lojës, në mënyrë që antagonizmi i tyre të mbetet brenda kufijve të kontrollueshëm.

Historia e balonës spiune është padyshim një fatkeqësi për kinezët. Rregulli i vjetër është që të gjithë spiunojnë të gjithë, por në çdo rast është më mirë që të mos kapeni në flagrancë. Sidomos pasi në rastin konkret, nuk ia vlen barra qiranë. Ekspertët e teknologjisë ushtarake thonë se si amerikanët po ashtu edhe kinezët kanë satelitë të aftë për të marrë imazhe shumë të sakta pa e shkelur hapësirën ajrore të vendit që monitorohet.

Baloni është një mjet shumë i vjetër, edhe nëse me siguri ai do të ketë mbledhur një koleksion të pasur fotografish gjatë fluturimit të tij mbi një bazë të armëve bërthamore në Montana. Pentagoni refuzoi ta rrëzonte atë duke përmendur rrezikun që mbetjet e tij mund të godisnin njerëz kur të binin në tokë.

Diplomacia kineze e ndjeu goditjen që do të pësonte, sepse në ofrimin e versionit – që kishte pak gjasa që besohej – të një balone për studime meteorologjike, i shtoi termin “keqardhje” që është shumë afër një ndjese zyrtare për këtë akt. Në epokën e diplomacisë së “Ujqërve luftëtarë”, gjuha e diplomacisë kineze nuk është shpesh kaq e sjellshme.

Blinken u detyrua ta shtynte vizitën e tij në Pekin edhe për shkak se ishte i rrethuar nga republikanët. Nën drejtimin e kryetarin e ri të Kongresit, Kevin Mccarthy, mazhoranca e re e djathtë reagoi shumë ashpër ndaj incidentit të spiunazhit, duke parathënë atë që do të jetë një nga motivet e aksionit të saj parlamentar: presion ndaj administratës Biden për një politikë të jashtme tejet parandaluese ndaj Kinës.

Jo se presidenti aktual i SHBA-së mund të akuzohet si një “pëllumb” në këtë aspekt. Përkundrazi, në rast se ka një gjë që e dallon Biden “ukrainas” nga Biden “kinez”, është vendosmëria më e madhe e këtij të fundit. Ndërsa presidenti demokrat ka refuzuar gjithmonë kërkesat e Volodymyr Zelensky për krijimin e një zone të ndalim-fluturimi të NATO-s, për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Ukrainës nga raketat ruse, ai ka deklaruar 4 herë deri më sot se Amerika do të ndërhyjë ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin në rastin e një pushtimi nga Pekini.

Hija e luftës për Tajvanin është sfondi i marrëveshjes së rëndësishme që Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka firmosur së fundmi me qeverinë e Filipineve. Presidenti Ferdinand Marcos Jr. ka rënë dakord ta lejojë Pentagonin të përdorë 9 bazat e saj ushtarake. Sigurisht, nuk do të ketë një prani të përhershme të ushtarëve amerikanë – siç ndodhi në Filipine deri në vitet 1990, sidomos në bazën e famshme Subic Bay.

Megjithatë Marina e SHBA-së, Forcat Ajrore, Ushtria dhe Marinsat do të jenë në gjendje t’i përdorin këto baza për stërvitje të përbashkëta ushtarake me aleatët, si dhe për të vendosur aty depozita të përhershme armësh, municioni dhe karburanti.

Logjistika, një mësim i hidhur nga konflikti ukrainas, ka gjithmonë një rëndësi të madhe, prandaj vendet perëndimore janë shumë pranë shterimit të rezervave strategjike në arsenalet e tyre. Për këtë arsye, logjistika është “Thembra e Akilit” e amerikanëve në skenarin e mbrojtjes së Tajvanit nga një sulm kinez.

Bazat e reja ushtarake në Filipine janë një mbështetje e çmuar në Lojën e Madhe të Indo-Paqësorit, duke qenë se disa ishuj në bregun verior të këtij arkipelagu ndodhen vetëm 160 km larg Tajvanit. Ato janë pjesë përbërëse e një aleance që po forcohet midis Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Australisë, Koresë së Jugut.

Gjuha e diplomacisë kineze ka qenë shumë më e ashpër ndaj marrëveshjes SHBA-Filipine. Administrata Biden u akuzua nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze për “rrezikim të paqes dhe stabilitetit në rajon”. Për Xi Jinping, kthimi i Filipineve në aleancën me SHBA-në është një humbje.

Gjatë presidencës së Rodrigo Dutertes, Manila ishte distancuar nga Amerika, madje deri në kërcënimin e anulimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit ushtarak. Kina e kishte përkulur Duterten edhe me “shantazhin e bananeve”, kur ky produkt i importuar nga Filipinet ishte bllokuar në portet kineze duke i shkaktuar humbje të mëdha ekonomisë së Manilës. /albeu.com


Shtuar 6.02.2023 13:32