Balluku vijon këshillat për kursimin e energjisë elektrike: Uleni kondicionerin në 21 gradë

Zv/kryeministrja njëherazi dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka vijuar dhe ditën e sotme me këshillat për kursimin e energjisë elektrike duke i kërkuar opozitës të bashkohen në një thirrje për qytetarët.

Ajo ironizoi opozitën duke deklaruar se në rast se do kishin qenë ata në pushtet në kushtet e krizës ekonomike do e kishin ulur automatin për qytetarët për t’i lënë ata në errësirë.

“Sot më shumë se çmimi është problem gjetja e sasive energjetike. Nuk ka asgjë të keqe t’i thoni fëmijëve të fikin dritat, të mbyllin derën e frigoriferit dhe të ulin kondicionerin në 21 gradë. Kjo është qeveria që ka menaxhuar krizat. Prit o zot kjametin të kishit qenë ju këto katër vite. Sot do kishin qenë njerëzit akoma në çadra. Çfarë do kishte ndodhur nëse do kishit qenë ju në krye në kohën e pandemisë. Një sfidë me jetën dhe vdekjen. Çfarë do kishte ndodhur nëse do ishit ju në kohën e krizës energjetike, Do kishit ulur automatin dhe do e kishit lënë vendin në errësirë. Shqipëria do të bëjë më të mirë të investojë. Keni gjithë ditën që flisni dhe dezinformoni. Ky është një moment solidariteti”, u shpreh Balluku.