Balluku: Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, as kufizime

Çmimi i energjisë elektrike për qytetarët shqiptarë nuk do të rritet dhe nuk do të kenë as kufizime gjatë dimrit. Gjatë një takimi me administratorët e energjisë zv/kryeministrja Belinda Balluku theksoi se Shqipëria ka ruajtur nivelin më të ulët të inflacionit në Ballkan, për shkak të masave të marra nga qeveria.

“Në Shqipëri nuk do të kemi ndërprerje energjetike, pavarësisht se çfarë thuhet herë pas here, si dhe nuk do të kemi rritje të tarifave dhe të çmimeve. Një rol të rëndësishëm tjetër që ka ruajtur inflacionin në nivelin më të ulët në Ballkan, Shqipëria është për shkak të mburojës energjetike që i ka dhënë familjarëve”, u shpreh Balluku.

Duke kërkuar kursim, Balluku bëri gjithashtu me dije se në rast se nuk do të ketë reagim nga institucioni, do të ketë gjoba të cilat shkojnë në llogari të titullarit.

“Në rast se në dy muaj konsekutiv nuk do të ketë reagim nga ana e institucionit tuaj atëherë do të jemi të detyruar që përmes task-forcës që të vendoset gjoba që parashikohet në aktin normativ. Sigurisht që gjoba i vendoset institucionit, ndërmarrjes, bashkisë, por shkon në llogari të titullarit”, u shpreh Balluku.

Fasha 800 KW nuk u aplikua gjatë muajit Tetor, por ende nuk është e qartë nëse ajo do të hyjë në fuqi gjatë Nëntorit.