Balla: Zbatim me rigorozitet i rregullave të lundrimit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bëri të ditur sot se paprekshmëria e perimetrit të sigurisë për pushuesit, si dhe zbatimi me rigorozitet i rregullave të lundrimit, që nga pajisja me dokumentacion përkatës deri te masat e shpëtimit, janë vija e kuqe për këdo që tenton ti shpërfillë këto rregulla.

Ministri Balla, në një reagim në rrjetet sociale përgëzoi edhe strukturat e policisë për ndihmën e dhënë turistëve dhe vizitorëve.

“Përgëzime Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për ndihmën e dhënë turistëve dhe vizitorëve në 9 raste, të cilët kërkuan ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë si dhe për bllokimin e 27 mjeteve lundrimi me shkelje”, u shpreh ai.

Balla theksoi se operacioni “Siguria detare” vijon çdo ditë nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore detare në hapësirën detare, liqenore dhe lumore, për të rritur sigurinë e pushuesve në plazhet e vendit.

 


Shtuar 30.06.2024 16:37