Balla në Spanjë, pritet në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë: Grupe të përbashkëta me INTERPOL e EUROPOL për aktivitetet kriminale

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, u prit sot në një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Kombëtare të Spanjës.

Në fokus të takimit ishin çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve për luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera kriminale.

Gjatë takimit, ministri Balla vlerësoi mbështetjen e dhënë nga pala spanjolle për Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, sidomos sa u përket trajnimeve për luftën ndaj veprave penale të pastrimit të parave dhe për rikuperimin e aseteve të krimit.

Balla kërkoi që bashkëpunimi mes dy agjencive të rritet e thellohet më tej, duke ngritur grupe të përbashkëta hetimore për goditjen e aktiviteteve kriminale, në bashkëpunim edhe me INTERPOL dhe EUROPOL.

Në takim u vlerësuan edhe rezultatet e arritura deri tani, ndërsa u ra dakord për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, sidomos në rastet e hetimeve të përbashkëta, për shkëmbimin e të dhënave kriminale për persona apo dosje të ndryshme, për zhvillimin e takimeve dypalëshe në raste operacionesh specifike si dhe ato në fushën e narkotikëve.


Shtuar 18.05.2024 11:35