Prokurorët japonezë zyrtarisht kanë ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit për vrasjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe.
Autoritetet thanë se i dyshuari do të përballet me gjyq, pasi për disa muaj ishin bërë vlerësime për shëndetin e tij mendor.
Tetsuya Yamagami u arrestua menjëherë pasi dyshohet se qëlloi me armë Aben, teksa ish-kryeministri japonez po mbante një fjalim në Nara të Japonisë në korrik të vitit 20
Më vonë gjatë atij muaji, Yamagami u dërgua në një qendër ndalimi ku për gjashtë muaj iu nënshkrua vlerësimit për shëndetin mendor, proces që përfundoi të martën. Yamagami më pas u dërgua në paraburgim në Nara.
Prokurorët thanë se rezultatet e vlerësimit të shëndetit mendor treguar se ai është i aftë që të përballet me gjykim. Yamagami po ashtu është akuzuar për shkelje të ligjit për kontrollin e armëve, tha Gjykata e Qarkut të Naras.
Policia kishte deklaruar se Yamagami u kishte thënë se e ka vrarë ish-kryeministrin Shinzo Abe, që ishte një prej figurave më me ndikim në këtë shtet. I dyshuari u kishte thënë autoriteteve se ai e kishte vrarë Aben për shkak të lidhjeve të tij me grupe fetare që ai urrente. Në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, Yamagami kishte thënë se ishte inatosur me Aben për shkak se nëna e tij kishte bërë donacione masive për Kishën e Unifikuar, që sipas të dyshuarit, kishte bankrotuar familjen e tij.
Një prej avokatëve të të dyshuarit, Masaaki Furukawa, tha për Associated Press, se Yamagami gëzon shëndet të mirë dhe gjatë qëndrimit në Osaka, ku kishte kryer teste për shëndetin mendor, i ishte lejuar të takohej vetëm me motrën e tij dhe tre avokatët mbrojtës.
Sipas avokatit, për shkak se ky rast është kompleks, do të duhen të paktën disa muaj para se gjyqi të nisë.
Policia po ashtu raportohet se po e shqyrton mundësinë që të shtojë disa akuza të tjera, përfshirë prodhimin e armëve, shkeljen e ligjit për eksplozivët dhe shkaktim të dëmit ndaj ndërtesave.
Disa japonezë kanë shprehur simpati për Yamagamin, veçanërisht ata që si fëmijë kishin qenë ndjekës të Kishës së Unifikuar, që njihet si institucion që shtyn ndjekësit e saj të japin donacione të mëdha dhe kjo kishë konsiderohet si kult në Japoni.
Mijëra persona kanë nënshkruar një peticion përmes së cilit kërkohet që Yamagami të mos ndëshkohet rëndë.
Hetimi për këtë rast ka zbuluar lidhjet e Partisë Demokratike Liberale të Abes me kishën që nga koha kur gjyshi i Abes, ish-kryeministri Nobusuke Kishi, kishte ndihmuar themelimin e kishës në Japoni në vitet ’60./Rel