Autori i vrasjes në Sarandë, i penduar para gjykatës: Më mirë të kisha vdekur vetë

Ditën e sotme, 43-vjeçari Jorgo alias Genti Golemi ka dalë sot para togave të zeza të Gjykatës së Sarandës, i cili dy ditë me parë vrau me thikë 43-vjeçarin Kledi Koka në shëtitoren e Sarandës.

Shkak i ngjarjes sipas burimeve ishte bërë një sherr i ndodhur pak minuta para vrasjes mes Golemit e Kokës.

Këta të fundit ishin grindur me fjalë për vendparkimin e mjeteve lundruese në limanin e qytetit. Më pas Koka e ka goditur Golemin me sende të forta duke e gjakosur. Pak minuta më pas, Golemi me një thikë e ka qëlluar 43-vjeçarin një herë të vetme në shpinë.

Për shkak të hemorragjisë së madhe në mushkëri, ai ndërroi jetë gjatë operimit në spitalin e Sarandës. I mbrojtur nga një avokat i ardhur enkas nga Tirana, Golemi është shprehur i penduar sot para trupit gjykues të kryesuar nga Fatmir Ndreu.

“Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Jam i penduar thellë. Nuk mendova se çfarë do të ndodhte. Më mirë të kisha vdekur unë se sa shoku im. E kisha shok dhe mik”. Në fund të seancës, Prokurori Ilir Hoxha ka kërkuar si masë “Arrest në burg”, e cila u la në fuqi edhe nga gjyqtari Fatmir Ndreu./albeu.com