Autor i dhjetëra vrasjeve, bosi i Cosa Nostras në gjendje të rëndë, avokati: Burgu nuk i ofron dot kujdes shëndetësor

Gjendja shëndetësore e bosit mafioz Matteo Messina Denaro është përkeqësuar.

Bosi, i ndaluar në regjimin 41 bis në superburgun e L’Aquila, vuan nga tumori, prej ditës së arrestimit ndodhet nën kurim në burg, ku i është ngritur një dhomë kimioterapie.

“Duhet shtrimi në spital”, nënvizoi avokati i Denaros.

Javët e fundit Messina Denaro i ishte nënshtruar një operacioni të vogël për probleme urologjike, por u kthye në burg gjatë ditës.

Avokati: “Kemi nevojë për shtrim në spital”

“Tani Messina Denaro nuk ha më, ai gjithashtu ka vështirësi për të pirë, ka nevojë për shtrim urgjent në spital sepse i duhet të ushqehet”, tha avokati mbrojtës Alessandro Cerella.

“Situata e tij nuk është më e menaxhueshme nga struktura në të cilën ai është i burgosur nën regjimin 41bis”.

Bosi i Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro, u arrestua në janar 2023, pas më shumë se 30 vite në kërkim.

Kush është Matteo Messina Denaro, i mbrojturi i Riinës i quajtur “Diabolik”?

Matteo Mesina Denaro, 60 vjeç, një nga të arratisurit më të rrezikshëm në botë, u identifikua dhe u arrestua në Palermo mëngjesin e të hënës, 16 janar. I njohur si “U siccu” (skilipeci), apo edhe “Diabolik”, Messina Denaro filloi ngjitjen e tij kriminale në vitin 1989 kur u denoncua për pjesëmarrje në organizatën mafioze në grindjen midis klaneve Accardo dhe Ingoglia të Partanës.

Vetëm 20 vjeç, ai u kthye në nxënësin e Totò Riina-s.

“Don Ciccio”, babai i tij në fakt, ishte kreu i mafies së Trapani-t, që e transformoi Cosa Nostra-n duke e shkëputur atë nga tradita feudale për ta katapultuar në botën e biznesit dhe Matteo ishte fëmija i katërt në gjashtë, i cili krenohej që vazhdoi karrierën e babait.

Për tridhjetë vjet ai arriti t’i shmangej kapjes. Komunikiminet i kryente në mënyrën më bazike nëpërmjet atyre që italisht quhen “Pizzi”, letra shumë të vogla të shkruara me dorë, me kode dhe pa indikacione komprometuese që transmetohen me korrierë (pizzini).

Denaro Messina ishte bërë me famë në verën e vitit 1993, kur në një letër që i kishte shkruar të dashurës së tij në atë kohë, Anxhelës, pas masakrave mafioze në Romë, Milano dhe Firenze, i tregonte se kishte filluar jetën e tij të re si “Primula Rossa” (aguliçe e kuqe).

“Do të dëgjoni për mua”,  i kishte shkruar, duke lënë të kuptohet se ishte i vetëdijshëm se, menjëherë pas kësaj, emri i tij do të lidhej me gjakderdhje të rënda, “do të më pikturojnë si djall, por të gjitha janë falsitet”.

U zhduk menjëherë pas kapjes së Totò Riina-s. Dhe ndërsa policia shkencore mori përsipër përditësimin e imazhit të tij duke e vizatuar në plakje, perandoria e tij miliardere u shpërbë dhe u kap pjesë-pjesë.

Kështu u çmontua zinxhiri i mbrojtjes dhe financimit. Kështu u shemb miti i një padrino që kishte fuqi të pafund, por jetonte si fantazmë, edhe nëse padukshmëria e tij nuk e pengoi të bëhej dy herë baba.

Për njërën nga vajzat dihet shumë: emri i saj, nëna e saj, zgjedhjet që e çuan atë të shkëputej nga hija e rëndë e një babai që ndoshta kurrë nuk e pa. Fëmijërinë dhe adoleshencën e kaloi në shtëpinë e gjyshes dhe më pas u largua së bashku me nënën e saj.

Për djalin tjetër dihet shumë pak dhe kryesisht nga përgjimet. Quhet Francesco, si patriarku i vjetër i dinastisë, dhe ka lindur midis 2004 dhe 2005 në provincën e Trapanit, midis Castelvetrano-s dhe Partanna-s, ku Matteo Messina Denaro ka ndërtuar fuqinë e tij ekonomike dhe kriminale.

I kujdesshëm për të menaxhuar arratinë e tij dhe për ta mbrojtur atë nëpërmjet një morie mbështetësish, Messina Denaro ka lënë nga vetja vetëm imazhin e një playboy të pamëshirshëm me Ray Bans, casual, elegant, i veshur me një këmishë firmato.

Gjithçka tjetër ka qenë legjendë si adhurues i Porsche-ve dhe Rolexe-ve prej ari, i dhënë pas femrave, një maniak i video lojërave, një konsumator i zjarrtë i revistave me vizatime. I njërit mbi të gjitha: Diabolik, nga i cili huazoi pseudonimin me të cilin e thërrisnin besnikët e tij.

Biografët e tij i kanë dhënë edhe një tjetër “U siccu”, dmth ku ka kokën uji, pra burim i pashtershëm i një lumi nëntokësor.

Padrino i Castelvetrano ai ka lëvizur gjithmonë mes egërsisë kriminale dhe pragmatizmit politik. Për këtë arsye ai konsiderohej trashëgimtari i Bernardo Provenzanos, por mbi të gjitha i babait të tij Don Ciccio-s, një tjetër bos i nomenklaturës tradicionale që vdiq si i arratisur në vitin 1998.

Kur patriarku i vjetër u zhduk, Matteo i ri kishte pesë vjet që kishte humbur gjurmët e tij, që në vitin 1993. Dhe që atëherë Diabolik kishte arritur gjithmonë t’i shpëtonte goditjeve.

Shumë besnik ndaj krahut të egër të Cosa Nostra-s, atij të Korleonezëve, ai do të kishte qenë i pranishëm në samitin e kërkuar nga Riina, në tetor 1991, në të cilin u vendos plani i vdekjes që kishte si objektiva gjyqtarët Falcone dhe Borsellino.

Të penduarit më pas thonë se ai ishte pjesë e komandos që duhej të eliminonte Falcone-n në Romë, aq sa ai mori pjesë në inspektimet e organizuara për sulmin.

Një shpërblim prej një milion e gjysmë euro ishte vendosur për të, por për ta lënë vetëm, hetuesit shtrydhën rrjetin mbështetës. Nuk u kursyen as familjarët e tij. Motra e tij Patrizia, vëllai i tij Salvatore, vjehrri i tij, një nip. Dhe shumë prej njerëzve të besuar, edhe të pa dyshimtë në pamje të parë, të cilët kanë pësuar sekuestrime të vazhdueshme të aseteve.

“Fantazma” e Messina Denaro-s u ndoq nga një numër i konsiderueshëm me urdhër-arreste dhe dënime të përjetshme për shoqërim me organizatë mafioze, vrasje, sulme, posedim dhe transport lëndësh shpërthyese.

Nëse dora e tij është njohur në aktet më të rënda kriminale të tridhjetë viteve të fundit, duke filluar me masakrat e vitit 1992 ku u vranë Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, ka disa dyshime në aftësinë e tij reale për të rindërtuar, pas arrestimeve të Totò Riina dhe Bernardo Provenzano, strukturën unitare të Cosa Nostra-s, e prekur nga arrestimet dhe nga një proces copëzimi.

Një bos që e çoi Cosa Nostra-n në mijëvjeçarin e dytë, pa mundur megjithatë të shmangë të njëjtin fat si padrinot e vjetër.

Për hetuesit dhe forcat e policisë që e kërkonin prej kaq kohësh, ishte një sfidë për t’u kapërcyer, kurse për “popullin e Cosa Nostra-s” një lidhje me të kaluarën dhe me historinë.

Për Matteo Messina Denaro si refugjat jashtë vendit është folur shpesh: herë në Spanjë, herë tjetër në Shqipëri apo kushedi në cilin cep të tokës. Por të gjitha hetimet, në fund, riktheheshin gjithmonë në Siçili, në trekëndëshin midis Castelvetrano-s, Marsala-s dhe Trapani-t që ishte mbretëria e tij dhe babait të tij Francesco.

Krimet për të cilat akuzohet

Në vitin 1991 ai ishte përgjegjës për vrasjen e Nicola Consales, pronar i një hoteli në Triscina, i cili ishte ankuar për një punonjësen e tij austriake, cila ishte ama e dashura e bosit të mafias.

Në korrik 1992 ai ishte ndër autorët e vrasjes së Vincenzo Milazzo-s, kreut të bandës ciçiliane Alcamo.

Disa ditë më vonë ai mbyti Antonella Bonomo, gruan e Milazzo-s, tre muajshe shtatzënë. Të dy trupat u varrosën në fshatin Castellammare del Golfo.

Në vitin 1992 Riina e kishte dërguar në Romë për të organizuar vrasjen e Giovanni Falcone-s atje, përpara se ta kthente në Siçili.

Ndërkohë Messina Denaro ishte në gjurmët e Maurizio Costanzo-s, duke u infiltruar edhe në publikun e teatrit Parioli së bashku me mafiozin tjetër, Giuseppe Graviano. Një vit më vonë Costanzo mbeti i padëmtuar për mrekulli në shpërthimin që ndodhi në via Fauro, i cili duhej ta kishte vrarë atë së bashku me gruan dhe shoferin e tij.

Në vitin 1993, kur ai filloi fshehjen, kundër tij u lëshua një urdhër arresti për pjesëmarrje në organizatë mafioze, vrasje, masakër, shkatërrim, posedim dhe mbajtje të lëndëve shpërthyese, vjedhje dhe krime të tjera të lehta.

Në vitin 1993 ai qëndronte pas atentateve mafioze në Romë, Firenze dhe Milano.

Matteo Messina Denaro ishte ndër organizatorët e rrëmbimit të Giuseppe Di Matteo për të detyruar babanë, Santino, të tërhiqte deponimet e tij për masakrën e Capaci-t.

Pas 779 ditësh robëri, fëmija u mbyt dhe trupi u tret në acid.

Në vitin 1994 Messina Denaro organizoi një sulm me bombë kundër të penduarit Totuccio Contorno.

Në vitin 2000 në gjyqin maksimal Omega u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm.

Më 21 tetor 2020 ai u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Assizes e Caltanissetta-s si një nga nxitësit e masakrave të Capaci-t dhe rrugës D’Amelio në të cilën u vranë gjyqtarët Falcone dhe Borsellino dhe shoqëruesit e tyre./Albeu.com.