Atentati në Lezhë ku mbeti i plagosur 54-vjeçari, flet dëshmitari: U tmerruam, si në vitin ‘97

Mëngjesin e kësaj të mërkure, një 54-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri në Rrilë të Lezhës. Ngjarja ka terrorizuar banorët pasi ndodhi pranë një shkolle, pasi i plagosuri Agron Puka, la fëmijët aty.

Një dëshmitar është shprehur se breshëria e të shtënave u kujtoi vitin 1997. Për shkak të frikës, ai ka marrë fëmijët nga shkolla ditën e sotme.

“Normal që janë frikësuar fëmijët. Kriste automatiku si me qenë ’97 këtu. Çfarë është ai muhabet. Ky djali që e kanë plagosur është njeri i rregullt, familjar shumë i rregullt. Fëmijët ndjehen të tmerruar”, u shpreh një banor.

Ndërsa një fëmijë tregoi të gjithë dinamikën e ngjarjes e parë nga vetë ai nga klasa ku po mësonte.

“U ndalën këtu, një Audi i bardhë. Zbritën. Kanë rënë plumbat përtokë. Audi ka shkuar atje është kthyer tek karburanti dhe ka ardhur me dyer të hapura dhe janë futur në makinë e kanë ikur”, u shpreh ai.


Shtuar 6.03.2024 11:37