Atentati në Belgjikë, “Hasanbelliu në gjendje kritike” Karamuço: 2 autorët e pamaskuar janë filmuar nga kamerat

Ervin Karamuço, eksperti i kriminologjisë nga Belgjika ka folur për abcnews.al në lidhje me atentatin e bërë ndaj Erion Hasanbelliut i cili u qëllua me 6 plumba pas shpine përballë një hoteli në Bruksel mbrëmjen e 11 qershorit.

Mediat belge e kanë cilësuar si plagosje për gjakmarrje dhe jo hakmarrje.

“Gjatë kësaj kohe jam njohur këtu përmes mediave belge. Mediat belge kanë gazetarë kronike që merren vetëm me ngjarjet e shqiptarëve. Kam lexuar sagën e shumë e shumë vrasjeve. Ata e kanë cilësuar plagosje për shkak të gjakmarrjes. Nuk e lidhin me hakmarrjen, por gjakmarrjen. Ka një histori prej 2 vitesh. Nga ajo që kam vënë re këto 2 ditë është se fajësojnë drejtësinë shqiptare. I hyjnë pastaj  të gjatë për gjakmarrjen dhe kanunin. Kur vjen puna te shqiptarët shikohen si shumë të ashpër gjakatarë, dhe bëjmë akte në rrugë pa pasur parasysh pasojat”.

Duke iu referuar mediave belge, Karamuço tha se autorët kanë qenë dy. Në momentin që kanë qëlluar Hasanbelliun kanë qenë të pa maskuar, ndaj janë filmuar nga kamerat e sigurisë.

“Autorët kanë qenë 2, të pamaskuar. Sipas mediave belge ka të dhëna që i konfirmojnë autorët dhe identitetin e tyre”.

I qëlluar me 6 plumba, Hasanbelliu ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën.

“Është në gjendje kritike i ka mbijetuar për shkak të mbërritjes së shpejtë të ambulancës. Është gjendje shumë e rrezikshme për jetën”.

Erion Hasanbelliu alias Mikel Rakipllari është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare  pasi në vitin 2013-të ai është ekstraduar nga Brukseli drejt Shqipërisë pasi bashkë me të vëllanë akuzohen se, në vitin 2002, kanë vrarë në Belgjikë, Julian Çelën dhe kanë plagosur rëndë, Kasandër Nogan. Autori dhe viktima janë përfshirë në një konflikt prej njëzet vitesh. Kasandër Noga është i njohur për ‘vrasjen në repartin e rikuperimit’ ku u eliminua babai i Hasanbelliu. Një vit më vonë, familja Hasanbelliu qëlloi dhe vrau një mik të Kasander Nogës në një kafene në Antwerp. Vetë Kasander Noga i mbijetoi atij sulmi.