Atentati ndaj Zamir Kalemit, cili ishte plani i autorëve

Mbrëmjen e djeshme në Tiranë, shtetasi Zamir Kalemi, mbeti i plagosur kur autorët i bënë një atentat në të cilin qëlluan të paktën 16 herë.

Kalemi mori një plumb në këmbë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, autorët dogjën makinën e përdorur për atentatin në Bërzhitë, duke mos lënë asnjë gjurmë, gjë që tregon se ngjarja ishte e planifikuar.

Ata përdorën targa të vjedhura për të kryer atentatin, të cilat ishin dnoncuar të humbura në Tiranë më herët.

Pasi e kanë ndjekur për disa orë Kalemin, ata kanë qëlluar nga një distancë e shkurtër, teksa ai ka tentuar të shpëtojë, duke u përplasur me trafikndarësen.

Të paktën 16 herë është qëlluar drejt makinës ku udhëtonte Zamir Kalemi, pranë Salitës, ku vetëm njëri e kapi në këmbë.

Dyshohet se autorët kanë qenë tre: personi që qëlloi, shoferi në timon dhe i treti që i priste në Bërzhitë pasi dogjën makinën.

Deri më tani, nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen, teksa pista kryesore ku po hetohet është hakmarrja.

Shënjestra e atentatit është vëllai i biznesmenit Adriatik Kalemi alias Andrea Kalemi, të cilit brenda pak muajsh, iu bë dy herë atentat në Greqi, por në të dyja rastet mori plagë të rënda dhe arriti të mbijetojë.


Shtuar 13.01.2024 13:53