Atentat me eksploziv në Shkozet, hidhet në erë mjeti i Aldi Mustafës

Makina e Aldi Mustafës është hedhur në erë me eksploziv mesditën e sotme.

Ngjarja ka ndodhur në orën 14:00 në Shkozet.

“Rreth orës 14:00, në aksin rrugor Shkozet – Durrës, në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi A. M., 37 vjeç (i vetëm në automjet), në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit, dyshohet se ka shpërthyer lëndë eksplozive. Nga shpërthimi i lëndës eksplozive nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale”, njofton policia

Aldi Mustafa, 37 vjeç, banues në Durrës, nuk është një emër i panjohur për policinë.

Ai rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, me 10 vite burg, në Gjermani.

Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Mustafa u arrestua më 30 gusht 2021 në kuadër të operacionit të koduar ‘Misioni’, bashkë me dy të tjerë, Uran Zykën, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”, si dhe Tahir Gjinikën, 33 vjeç, banues në Durrës.

Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës.

/Albeu.com/


Shtuar 3.04.2023 14:11