Atalanta ka triumfuar 2-0 ndaj Genoas, në një sfidë mjaft delikate. Skuadra e Gasperinit u përpoq që të gjente golin në pjesën e parë, por muri mysafir dukej i pathyeshëm. Djemtë e Gilardinos ishin mjaft të rrezikshëm dhe vendosën në vështirësi disa herë portierin e bergamaskëve, Marco Carnesechi. Mbrojtësi shqiptar, Berat Gjimshiti luajti 90 minuta të plota, ndeshje mjaft pozitive e tij, i cili u vlerësua me notën 7.8.
Për të ardhur tek goli i vendasve, Lookman merr një top nga krahët dhe në një pozicion të vështirë, gjeti golin. Arbitri Marinelli anuloi golin për prekje me dorë, por VAR konfirmoi se gjithçka ishte e rregullt.
Genoa nuk qëndroi duarkryq dhe insistoi shumë për golin e barazimit. Portieri Carnesechi bëri heroin në fundin e ndeshjes, duke i mohuar golin ekipit nga Genoa. 6 minutat shtesë dhuruan emocione të jashtëzakonshme, por në fund ishte Atalanta që festoi, pasi në një kundërsulm, Ederson dyfishoi shifrat.