Babai i Kristjan Asllanit, Gentiani dha një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, ku rrëfeu detaje se si i biri u bë pjesë e Interit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare shënoi një hap të rëndësishëm në karrierën si sportist, paraqitjet e të cilit me Empolin tërhoqën vëmendjen e skuadrave të mëdha.
Akordi mes Interit dhe Empolit për mesfushorin e Kombëtares shqiptare është arritur për një shumë prej 14 milionë eurosh. Gentiani tregoi se Kristjani ka filluar të merret me sport që në moshën 5 vjeçare dhe se asokohe paguante 300 euro një person që ta çonte të birin te furgoni i Empolit.
“Unë paguaja 300 euro në muaj një italiani pasi nuk kisha mundësi që ta çoja djalin te Empoli. Nga mosha 7 deri në 13 vjeç ka qenë te Empoli.”, tregoi ai duke shtuar më pas se nuk ka besuar se Interi kishte shprehur interes për të birin derisa pa firmën në kontratë.
“Si lajm, kisha një muaj që e dija. Kur ka firmosur e kam besuar. Ne lajmin e kemi marrë vesh një ditë para ndeshjes me Izraelin. Nuk e dinim që ishin në kontakt dhe ishin dy klube që do të binim dakord. Pas dy ditësh erdha në Itali.”, tregoi ai.