“Asfalti elektoral në Tiranë”, Këlliçi: Veliaj luan me jetët e qytetarëve, firmëtar i korrupsionit (VIDEO)

Deputeti i zgjedhur i PD, Belind Këlliçi, akuzon Kryebashkiakun Erion Veliaj se me korrupsionin që mban firmën e tij po i rrezikon jetën e qytetarëve të kryeqytetit.

Këlliçi shkruan në “Facebook” se PD ka denoncuar asfaltin elektoral në Tiranë, jo vetëm si një mashtrim politik, por si një taktikë kriminale për të mbuluar me njolla bituminoze rrugë të cilat nuk kanë kanalizime, dhe që gjenden jashtë çdo standardi të pranuar urban.

Postimi i Këlliçit:

Për javë të tëra kemi denoncuar asfaltin elektoral në Tiranë, jo vetëm si një mashtrim politik, por si një taktikë kriminale për të mbuluar me njolla bituminoze rrugë të cilat nuk kanë kanalizime, dhe që gjenden jashtë çdo standardi të pranuar urban.

Në lagjet tuaja keni parë shpesh, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore, se si rrugë e rrugica asfaltohen e shqepen sërish për të shtruar tuba, se gropat qëndrojnë të hapura e indiferente për sigurinë e kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve.

Pa sinjalistikë lajmëruese, gropat mbeten të hapura, si një tregues brutal i korrupsionit në infrastrukturën e brendshme qytetëse.

“Ku vë dorë bashkia ka zhvillim”, thotë Veliaj, duke treguar me pompozitet asfaltimin e rrugës Tre dëshmorët”. Është pikërisht kjo rrugë alla Veliaj që rrezikoi jetët e pasagjerëve në autobusin urban.

E përsëris. Korrupsioni merr jetë. Korrupsioni vret. Të detyron të bësh zig-zag mbi gropa e kanale. Duhet të kesh katër sy për të ecur në Tiranë. Një qytet çdo ditë e më shumë i pajetueshëm. Sfidë për çdo nënë me karrocë, për çdo të moshuar që lulishtja e dominosë i bëhet pallat, për çdo fëmijë që në oborrin e pallatit ka vinça e betoniere.

Korrupsioni ka firmën e kryebashkiakut Erion Veliaj. Firmëtar i kaosit, pluhurit, ndotjes akustike nga mëngjesi në mesnatë. Asgjë pa firmën e tij./albeu.com/


Shtuar 15.08.2021 11:43