Artan Lame njofton vendet e lira në nivele drejtuese në Kadastër: Mos u tutni, por ejani dhe aplikoni

Kreu i Kadastrës në vendin tonë Artan Lame ditën e sotme ka mbajtur një konferencë për media nga ku ka shpallur vendet vakante në nivele drejtuese në institucionin.

Lame i bëri thirrje të gjithë inxhinierëve, juristëve dhe ekonomistëve që të mos tuten dhe të aplikojnë për të siguruar vendin e punës.
“Mos u merrni me broçkullat e facebookut, po hajde aplikoni”, theksoi Lame gjatë fjalës së tij.

“Ka specialistë që nuk duan ta kuptojnë se shmangia e qytetarit nuk është zgjidhje. Nuk duan ta kuptojnë se vendosja e tyre në ato poste nuk është bërë se kanë çliruar Shqipërinë por të bëjnë punën. Hapim thirrjen për aplikime. Si shërbëtori vjetër i shtetit u them se nuk bëhen legalizimet me ushtar partie. Sa u përket aplikuesve ju bëj thirrje të gjithëve ja sheshi ja mejdani.

Bëhet fjalë për shumicën e drejtorive të republikës që kanë ose drejtues të komanduar ose drejtues që nuk e bëjnë detyrën. Zyrat shumë herë nuk janë në lartësinë e duhur, ka mungesë vullneti për zgjidhur çështje të rëndësishme.

Ti që ke përfunduar studimet në inxhinieri, juridik dhe ekonomi, mos u tutni por ejani dhe aplikoni.

Lista e plotë do e shikoni të hënë tjetër ku do jetë dhe shpallja zyrtare në site. Sa i përket specialistëve thamë që do bëjmë një thirrje të dytë pas kësaj.
Sfidë me këdo, le të vijë njëri këtu nesër dhe pasnesër fillon, punë çdo inxhinier, fillimisht me kontratë. Mos u merrni me broçkullat e facebookut“, tha Lame.


Shtuar 22.06.2021 10:54