Autoriteti Rrugor Shqiptar ka paralajmëruar masa ndëshkuese për drejtuesit dhe udhëtarët që hedhin mbetje nga automjetet, duke theksuar se ndotja e rrugëve përbën shkelje të ligjit. Sipas ARRSH-së, personat që ndotin hapësirat publike përballen me gjoba nga 65 mijë deri në 200 mijë lekë.
“Sipas Ligjit nr. 57/2025, datë 16.10.2025, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, shkelësit dënohen me GJOBË NGA 65,000 DERI NË 200,000 LEKË”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Të lidhura
None found
Në ditët në vijim pritet të intensifikohen kontrollet përgjatë rrjetit rrugor, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Për identifikimin e shkeljeve do të përdoren edhe kamerat inteligjente. ARRSH ka bërë të ditur se rastet e hedhjes së mbetjeve nga automjetet do të dokumentohen dhe ndaj shkelësve do të merren masat përkatëse.
Autoriteti u ka bërë apel qytetarëve që të mos hedhin mbetje nga dritarja e automjetit, por t’i mbajnë me vete dhe t’i depozitojnë në vendet e përcaktuara.
“Në ditët në vijim, ARRSH, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të intensifikojë kontrollin përmes kamerave inteligjente përgjatë rrjetit rrugor, me qëllim identifikimin e rasteve të hedhjes së mbetjeve nga automjetet”, thuhet më tej në reagimin e ARRSH-së.
Njoftimi i ARRSH:
ZERO TOLERANCË NDAJ NDOTJES SË RRUGËVE!
Rrugët e Shqipërisë nuk janë kosh plehrash.
Në një kohë kur mijëra qytetarë dhe turistë udhëtojnë çdo ditë nëpër vend, nuk do të tolerohet më asnjë akt papërgjegjshmërie nga ata që hedhin mbetje nga automjetet apo i braktisin në hapësirat përgjatë rrugëve.
Ekipet e mirëmbajtjes së ARRSH janë çdo ditë në terren për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor. Por puna e tyre nuk mund të kthehet në një cikël të pafund pastrimi për shkak të individëve që zgjedhin të ndotin.
Hedhja e një shisheje, qeseje apo çdo mbetjeje tjetër nga automjeti është SHKELJE E LIGJIT.
Sipas Ligjit nr. 57/2025, datë 16.10.2025, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, shkelësit dënohen me GJOBË NGA 65,000 DERI NË 200,000 LEKË.
Neni 76/a + Neni 77/2
NGA PARALAJMËRIMI TEK NDËSHKIMI.
Në ditët në vijim, ARRSH, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të intensifikojë kontrollin përmes kamerave inteligjente përgjatë rrjetit rrugor, me qëllim identifikimin e rasteve të hedhjes së mbetjeve nga automjetet.
Automjeti dhe shkelësi do të identifikohen. Shkelja do të dokumentohet. Masa ndëshkuese do të zbatohet.
Nuk ka justifikime.
Nuk ka “vetëm një shishe”.
Nuk ka “nuk më pa njeri”.
Nuk ka tolerim.
RRUGËT JANË PASURI PUBLIKE. PASTËRTIA ËSHTË PËRGJEGJËSI E ÇDO QYTETARI.
Mos e hidh mbetjen nga dritarja.
Mbaje në automjet. Hidheni në vendin e përcaktuar.
KUSH NDOT, PAGUAN.
ZERO TOLERANCË NDAJ NDOTJES.
