Arrestohet vëllai i Muçi Shaljanit të vrarë në atentatin në Rinas, zbardhen konfliktet e gruas së ish-agjentit të AMP-së me familjen e bashkëshortit

Vëllai i Muçi Shaljanit alias Sheqerit agjentit të Agjencisë së Mbikëqyrjes policore, i cili mbeti u vra në atentatin mafioz në afërsi të aeroportit të Rinasit, bashkë me ish-të dënuarin Gilmando Dani, është vënë në pranga nën akuzën e dhunës në familje.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton se ndaj Shemsi Shaljanit, gjykata e Tiranës caktoi me datë 16 mars masën e sigurisë “arrest me burg” pasi dyshohet se ka dhunuar të venë e vëllait të vrarë.

Burime konfirmuan se me 13 mars në polici u paraqiti e veja e Muçi Shaljanit alias Sheqerit, e cila ka pretenduar se pas vdekjes së bashkëshortit të saj, vëllezërit e këtij të fundit kanë ngritur pretendime në lidhje me pronësinë e objektit 4-katësh, ku ata jetojnë në rrugën “Spiro Deda”, si dhe të 2 ambienteve bar-kafe që janë administruar nga bashkëshorti i saj.

Më tej, ajo i ka thënë policisë se Denis Morina, vëllai nga ana e nënës i shtetasit Muçi Shaljani, i kishte marrë çelësin e hyrjes së këtij objekti, me pretendime lidhur me pronën.

Fillimisht ajo nuk ka bërë kallëzim, por ka kërkuar ndihmën e policisë që vëllezërit e bashkëshortit të ndjerë t’i dorëzonin çelësin e objektit dhe ka paraqitur edhe dokumentacionin përkatës lidhur me pronësinë.

Policia ka thirrur Denis Morinën, vëllain e Muçi Shaljanit dhe mes palëve është arritur marrëveshje dhe i është dorëzuar çelësi 40-vjeçares, ndërsa lidhur me pretendimet që mund të kishin palët për pronësinë e godinës janë orientuar që t’i drejtoheshin gjykatës.

Një ditë më vonë, bashkëshortja e agjentit të vrarë është paraqitur në komisariat dhe ka kallëzuar për dhunë kunatin e saj Shemsi Shaljani, duke pretenduar se ky i fundit i ka shkuar te dera e banesës, duke goditur me grushte derën dhe i ka kërkuar të largohet nga prona së bashku me fëmijët e saj.

Në kallëzim ajo ka pretenduar se është kërcënuar me jetë.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike si dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes, e më pas ka plotësuar urdhër të menjëhershëm mbrojtje për gruan.

Shemsi Shaljani, është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim për akuzën e dhunës në familje.

Vrasja e Muçi Shaljanit

Mesditën e 11 nëntorit të 2025 Muci Shaljani alias Sheqeri sapo ishte kthyer nga Spanja bashkë me Gilamdno Danin që njihej si I besuari I Emiljano Shullazit, kur në drejtim te tyre tek rrethrrotullimi I Rinasit u qëllua me breshëri kallashnikovi.

Dani mbeti I vrarë në vend, ndërsa Shaljani ndërroi jetë më vonë te spitali I Traumës. Hetimet për atentatin mafioz po kryhen nga prokuroria e posaçme. Ndërkohë lidhur me punësimin e paligjshëm të Shaljanit si agjent janë marrë të pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ish-drejtori I komanduar i AMP-së, Artjol Saliasi, si dhe drejtori I burimeve njerëzore Gëzim Sala.


Shtuar 19.03.2026 11:42