Një 30-vjeçare, Alessia Piperno, u arrestua në Iran dhe po mbahet në një burg të Teheranit.
Lajmin e kanë dhënë prindërit e saj, të cilët kanë raportuar se kanë marrë një telefonatë nga vajza e tyre që kishte shpërthyer në lot.
“Ju lutem më ndihmoni, kam frikë se nuk do të dal më”, mësohet të jetë shprehur vajza gjatë bisedës telefonike.
Rasti në fjalë po ndiqet edhe nga ambasada italiane në Teheran, por për momentin nuk ishte e mundur të identifikohej burgu ku ndodhet shtetasja italiane.
Familja e të resë ka nisur një apel në rrjetet sociale. Alessia, shkruajnë prindërit e saj, “është një udhëtare e vetmuar, ajo udhëton nëpër botë për të mësuar mbi zakonet dhe traditat e popujve. Ajo gjithmonë ka respektuar traditat dhe, në disa raste, detyrimet e çdo vendi që ka vizituar”. Babai dhe nëna nuk kishin dëgjuar asnjë lajm për vajzën që nga 28 shtatori, ditëlindja e saj. “Ishte ajo që duke qarë na paralajmëroi se ishte në burg në Teheran. Ajo u arrestua nga policia së bashku me miqtë e saj teksa po përgatitej të festonte ditëlindjen. Ishin vetëm pak fjalë që tha, por ishte shumë e dëshpëruar dhe kërkoi ndihmë”, pohuan prindërit.