Mbrëmjen e sotme, rreth orës 19:45 minuta, forcat speciale kanë vënë në pranga Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili ka qenë në kërkim për atenatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj në mbikalimin e Shkozetit në vitin 2019.
Lajmin e ka bërë të ditur, gazetari Artan Hoxha, përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se u arrestua teksa po konsumtonte iftar në një lokal pranë Urës së Gjoles.
“Forcat speciale sapo kane arrestuar personin e shpallur ne kerkim Ramazan Rrahja, rreth ores 19:45 minuta.
Ramazan Rrahja, nipi i deputetit socialist ne zonen e Fushe Krujes, Rrahman Rrahja, u ndalua ndersa ishte duke konsumuar darken e iftarit me nje grup besimtaresh muslimane ne nje lokal prane Ures se Gjoles.
Pas nje informacioni te marre ne rruge operative, nje numer i madh i forcave speciale nga Tirana kane rrethuar lokalin qe ndodhet ne krahun e majte te rruges nacionale Vore – Fushe Kruje. Me pas ato kane nderhyre duke arrestuar pa rezistence shtetasin Ramazan Rrahja”, shkuan Hoxha.
Kujtojmë se Rraja nuk është një emër i panjohur për policinë. Rraja rreth 3 vite më parë ka dhunuar barbarisht një grua te QSUT. Ai gjithashtu u rikthye në qendër të vëmendjes pas publikimit të një video ku shfaqet në një lokal në Fushë-Krujë me kallashnikov, duke terrorizuar klientët. Pas publikimit të lajmit, Rraja, nga Dubai mohoi të kishte qenë ai, duke thënë se policia merr ryshfet për të terrorizuar familjen e tij.
Rraja gjithashtu është dënuar me 12 vite burg në Belgjikë dhe sipas mediave atje, ai është një nga kokat e një organizate droge shqiptaro-letoneze që tregtonte miliona euro kokainë, duke përfshirë aktivitetin edhe portet e Antwerpen dhe Vlissingen.
Kujtojmë po ashtu se Rraja është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare qysh prej datës 17 janar 2023, pasi GJKKO e ka pranuar kërkesën e prokurorisë SPAK, për caktimin e masës së arrestit në burg ndaj tij.
SPAK pretendon se Ramazan Rraja, kushëriri i tij Redjan Rraja dhe persona të tjerë në qytetin e Durrësit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në atentatin e datës 1 nëntor 2019 në zonën e Sukthit, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe të plagosur rëndë Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.
Rraja ka qenë shpallur në kërkim dhe pas atentatit të ndodhur në 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë- Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Në atë kohë, Ramazan Rraha ndodhej jashtë vendit.
Ai u shoqërua nga policia e Fushë-Krujës mesditen e 31 tetorit 2022, kur sapo ishte kthyer në Rinas me linjën e “Flay Dubai” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Rraja dha deklarime në lidhje me hetimin e masakrës së 17 korrikut, duke dhënë pretendimet e tij dhe më tej është lënë i lirë.
Në 15 nëntor 2022 Rramazan Rraja dhe tre persona të tjerë shokë të tij, janë shoqëruar në policinë e Tiranës dhe marë në pyetje lidhur me trajektoren e lëvizjes së tyre, dhe pronësinë e tre automjeteve të blinduara.
Ai konsiderohet nga policia dhe prokuroria si miku i Plaurent Dervishaj, i cili prej disa vitesh qëndron si resident në Dubai, megjithëse kërkohet nga SPAK për vrasjen e Klodian Saliut në shkurt të 2005./albeu.com