Policia Kufitare ka arrestuar Petrit Spahon, 66 vjeç, pronar i një hoteli në Vaqarr të Tiranës, pasi dyshohet se u kishte dhënë strehim 7 emigrantëve nga Sudani dhe u kishte siguruar transportin për kalimin e paligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Stafeta”, të zhvilluar nga Seksioni i Hetimit pranë Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë.
Të lidhura
None found
Hetimi lidhet me dyshimet për ndihmë kundrejt fitimit në kalimin e paligjshëm të kufirit.
Sipas autoriteteve, Spaho, banues në Tiranë, po hetohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Hetimet kanë zbuluar dyshime se 66-vjeçari kishte sistemuar në hotelin e tij në Vaqarr disa shtetas të huaj dhe më pas kishte organizuar transportin e tyre drejt Koplikut, me synim kalimin e paligjshëm të kufirit dhe vazhdimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së.
Dy automjete taksi u vunë nën vëzhgim nga shërbimet e Policisë Kufitare Tiranë. Pas bashkëpunimit me efektivët e Policisë Kufitare Shkodër, mjetet u ndaluan dhe brenda tyre u gjetën 7 shtetas nga Sudani. Ata po procedohen në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Ndërkohë, në Prokurori është referuar edhe rasti i taksistit me inicialet P. Gj. Për të ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjatë operacionit u sekuestruan si prova materiale dy armë gjahu, një prej të cilave dyshohet se mbahej pa leje, fishekë për armë gjahu, 7 telefona celularë, dy automjete taksi dhe libri i regjistrimit të klientëve të hotelit.
Materialet procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vijimin e veprimeve të mëtejshme.
